Giacomo Vrioni, sulmuesi 23-vjeçar i kombëtares shqiptare të futbollit, është pranë rikthimit në Serie A pas një viti aktivizim në Austri me ekipin e WSG Tirol. Sulmuesi është në pronësi të Juventusit, që vjet e la lojtarin të lirë në formë huazimi për një vit te skuadra austriake.
Vrioni do të rikthehet nga huaja te skuadra bardhezi, që do të ndjekë të njëjtën formulë edhe këtë verë. Sipas mediave italiane, Vrioni mund të shkojë te skuadra e Sampdoria, ku ai ka luajtur edhe më parë.
Në vitet 2017-2020, sulmuesi ka luajtur me ekipet e moshave të Sampdoria, ku dhe është rritur. Ai e njeh mirë këtë klub, ndërkohë që sezoni i mirë në Austri (19 gola në 28 ndeshje) kanë bindur Sampdoria ta afrojnë sërish.
Sipas “sampnews”, lojtari do të paraqitet fillimisht në grumbullimin e skuadrës së Juventusit dhe më pas do të jetë trajneri Allegri ai që do të thotë fjalën e fundit. Ideja është që Vrioni të jepet në formë huazimi te Sampdoria me të drejtë blerje për shifrën 10 milionë euro pas një viti.