Wenger: Gati të kthehem si trajner, por vetëm në këto kushte…

3 Gusht 2020
10:05
Alfred Lleshi
back button

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se është i hapur përsëri për të stërvitur një ditë, por vetëm në kushte që ai i konsideron “optimale”. Francezi i njohur u largua nga stoli i “Topçinjve” pas 22 vitesh, më 2018, dhe aktualisht punon si shef i FIFA-s për zhvillimin global të futbollit. Ndërsa është i etur për ta shfrytëzuar sa më shumë pozicionin e tij të ri, Wenger pranon se i mungon puna si trajner dhe se mund të kthehet në këtë rol, nëse i vjen oferta e duhur.

“Çdo ditë dua të stërvitem, e kam bërë këtë gjatë gjithë jetës sime, – tha Wenger për “Evropa 1”. – Unë jam 70 vjeç, kam dhënë shumë. A duhet të luaj pak ruletë ruse, edhe kur bëhet fjalë për shëndetin tim? Nuk mund t’i bëj gjërat përgjysmë, kështu që ia bëj vetes këtë pyetje”. I pyetur se çfarë do të duhej, që ai të stërviste përsëri, Wenger u përgjigj: “Do të ndodhë për ato kushte që unë i konsideroj optimale. Përndryshe, nuk do ta bëj”.

Wenger u bashkua zyrtarisht me FIFA-n në nëntor të vitit të kaluar, me ish-trajnerin e Arsenalit që hodhi poshtë zërat për kalimin te Bayern Munich, duke zëvendësuar Niko Kovac. Francezi la të kuptohet se nuk është një tifoz masiv i të qenit i mbërthyer brenda zyrës, teksa më parë e kryente pjesën më të madhe të punës në fushë: “E kam nuhatur barin çdo mëngjes. Sot jam më shumë në ambiente të ngatërruara administrative dhe në zyra. Kështu që, padyshim, ndjehem pak ngushtë atje.

Dua të krijoj qendrën më efikase të analizave në botë, në FIFA. E di që është shumë ambicioze, por do të shihni që në Kupën e Botës 2022 do të prodhojmë analiza të ndeshjeve, të cilat do të jenë jashtëzakonisht efikase. Unë jam në procesin e punësimit të shumë njerëzve në këtë nivel, tani. Dhe mendoj se ka ende shumë përparim për t’u bërë me mënyrën se si ne e shohim futbollin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit