Wilder “tradhëton” Fury, synon sfidën me kampionin e botës

13 Korrik 2019
19:29
Telesport
back button

Boksieri amerikan Deontay Wilder, kampion i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC, ka bërë me dije sot se preferon më shumë një duel me meksikanin Andy Ruiz Jr se sa revanshin me Tyson Fury. Wilder u shpreh se ai e ka “mposhtur” një herë britanikun në duelin e zhvilluar në dhjetorin e kaluar, por gjyqtari nuk e ndali atë sfidë.

Gjithsesi, Wilder do të duelojë fillimisht me 28 shtator ndaj Luis Ortiz dhe më pas, në axhendën e tij është sfida e 22 shkurtit ndaj Tyson Fury. Por kjo sfidë e dytë mund të anullohet në rast se Andy Ruiz, kampioni tjetër i botës në peshën e rëndë (IBF, WBA dhe WBO) fiton edhe revanshin me Anthony Joshua.

Kjo do të thotë që dy kampionët e botës mund të duelojnë për të unifikuar titujt në një të vetëm. “Fury nuk dëshiron të përballet sërish me mua, por nuk ka zgjiedhje tjetër. Unë e kam hedhur “KO” atë një herë. Po të mos ishte për gjyqtarin, ai duel do të ishte ndalur më herët, por ata kanë opinionin e tyre”, u shpreh Deontay Wilder, i pamposhtur në ring.

Gjithsesi, do të jetë Ruiz ai që do të vërë rregull. Nëse fiton edhe revanshin me Joshua do të jetë ai që do të zgjedhë. Një duel mes tij dhe meje do të ishte maksimumi për boksin, dy kampionë bote. Fury nuk e meriton të duelojë sërish me mua. Është përballur me dy boksierë të panjohur së fundi. Ndërsa unë kam plane të mëdha”, tha Wilder, 41 fitore e 1 barazim në karrierë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit