Wilshere rrëfen makthin: Papritur pashë djalin tim 4-vjeçar në tokë…

12 Qershor 2019
15:43
Denis Hakanaj
back button

Karriera e Jack Wilshere është befasuese. Anglezi, aktualisht te West Ham, ka kaluar pothuajse 10 vite te skuadra e parë e Arsenal-it, ku ka fituar edhe dy Kupa të Anglisë. Gjithsesi, përshtypja e krijuar është se ai nuk arritur kurrë në nivelet që priteshin. Kjo për faj të një karriere të kushtëzuar nga dëmtimet, që e kanë detyruar të kalojë një kohë të madhe në   infermieri dhe që kanë frenuar rritjen e tij. 

Në 2015-ën ka pësuar një dëmtim në këmbë, që e ka mbajtur larg fushave për pothuajse një vit. Dhe gjatë kësaj periudhe, Wilshere ka menduar vazhdimisht për t'u tërhequr nga futbolli. Megjithatë, ai ka zbuluar se nuk ka qenë dëmtimi i tij që e ka demoralizuar, por gjendja e birit, Archie.   

Në një intervistë të dhënë për Athlete's Stance, ai ka thënë: "Ka qenë një periudhë shumë e keqe, sepse po kërkoja të kthehesha në nivelet e mia dhe papritur kam parë djalin tim katërvjeçar në tokë me konvulsione". Një skenë e tmerrshme, që e ka shkatërruar Wilshere. 

"Kam harruar futbollin. Mbaj mend se i kam thënë gruas sime 'nuk e di nëse mund të vazhdoj kështu'. Hyja dhe dilja nga spitalet, nuk flija për shkak të djalit tim sepse krizat e tij  vinin pothuajse gjithmonë natën. Dhe, të them të drejtën, nuk më interesonte rehabilitimi, sepse gjëja më e rëndësishme ishte ai. U shkëputa pak nga bota e jashtme".  

Fatmirësisht, dikush i shkoi në ndihmë: "Do ta falënderoj gjithmonë Wenger-in, më tha 'mendo për djalin tënd dhe merr gjithë kohën që të duhet'. Një gjest shumë i bukur".

Ajo periudhë ka qenë një makth i vërtetë për Wilshere dhe duhet të shërbejë si një paralajmërim për atë që mendojnë se jeta e një futbollisti është e gjitha fushë me lule. "Janë gjëra që të bëjnë ta shikosh jetën me një sy tjetër, sepse gjithçka mund të ndodhë.  Po, jam një futbollist dhe është shumë bukur, por familja është gjithmonë e para". 

Në fund, Archie i vogël është më mirë dhe ka ndihmuar mesfushorin të ndryshojë këndvështrimin për jetën. Wilshere është larguar nga Arsenal për të gjetur më shumë hapësira te West Ham, pavarësisht se dëmtimet nuk e lënë të qetë. 

"Fatmirësisht, djali është më mirë dhe më pyet gjithë kohës 'babi, kur do të kthehesh në fushë?'. Për këtë arsye dua të kthehem të jem vetvetja për të dhe vajzën time më të vogël, që nuk më ka parë akoma të luaj. Duhet ta bëj edhe për atë", ka thënë Wilshere.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit