Xavi në prag të “jubileut 100”. Në dy vite ka ringjallur Barçën, tani dëshiron të pushtojë Europën

3 Tetor 2023
12:02
Alfred Lleshi
back button

6 nëntori 2021 është një datë shumë e rëndësishme në historinë e fundit të Barcelonës. Atë ditë, në fakt, pas përfundimit të epokës shumë të palakmueshme të Koeman, ish-mesfushori Xavier Hernández u kthye në shtëpi për të ringjallur pasurinë e një klubi që në dy sezonet e mëparshme kishte fituar vetëm një Kupë Mbreti dhe ishte poshtëruar në Champions League nga Bayern Munich e PSG.

Objektivi kryesor ishte kthimi i entuziazmit te një ekip në vështirësi të mëdha dhe në të gjithë mjedisin katalanas, gjithashtu të munduar nga problemet financiare. Kur Joan Laporta zgjodhi arkitektin e Barçës së mrekullueshme që magjepsi botën, fillimisht me Guardiolën dhe më pas me Luis Enrique, ai priste qartë një ndryshim vendimtar (megjithëse gradual) në rezultatet dhe rritjen e një grupi të ri e të fortë.

Ndikimi ishte thuajse i menjëhershëm. Trajneri nga Terrassa, pas një periudhe studimi për të kuptuar dinamikën e re dhe për t’u njohur me skuadrën, filloi të mahniste dhe të ndikonte te Blaugranët, të cilët e mbyllën sezonin me stil (vendi i dytë), duke regjistruar 15 rezultate të dobishme radhazi.

Sot, Xavi Hernandez ka arritur 99 ndeshje në stolin blaugrana dhe tjetra, në Ligën e Kampionëve kundër Portos, do të përfaqësojë një moment historik të parë domethënës: 100 herë në krye të një skuadre që, falë tij, u rikthye në majat e Spanjës në maj, fitoi edhe një Superkupë Spanjolle. Dy trofe të rëndësishëm, të cilëve duket se Xavi planifikon t’iu shtojë edhe të tjerë.

Tani, megjithatë, prioritet është kthimi në lartësitë e kërkuara në Kontinentin e Vjetër, duke qenë se vitet e fundit Barcelona është zhdukur nga “radari” I Champions League, duke ua lënë skenën anglezëve (Chelsea, Liverpool dhe Manchester City), përveç të uriturve Real Madrid dhe Bayern Munich.

Një sipërmarrje shumë më e komplikuar, sepse variablat janë të shumtë, por “goditja” e një viti më parë (eliminuar qysh në grup, karshi bavarezëve dhe Interit) sigurisht që shërben si stimul për t’u kualifikuar të paktën në 1/8 finale kësaj here.

Katalanasit duken shumë më të bindur për aftësitë e tyre, ndaj kanë ambicien e kthimit në lavditë e së shkuarës. Xavi do të përpiqet t’i çojë ata në një dimension të ri, për të treguar se nuk është thjesht një fenomen kalimtar, por tashmë mund të ulet në tryezën e trajnerëve të mëdhenj. Klubi beson në të dhe e bëri të rinovojë deri në vitin 2025. Pra, kanë planifikuar të ardhmen së bashku dhe me kënaqësi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit