Xhaferi dhe Djarmati në unison: Bashkë, për Vllazninë europiane!

7 Gusht 2020
10:38
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia ka prezantuar sot drejtorin e ri sportiv të saj. Ka qenë sponsori Alban Xhaferi dhe administratori i kuqebluve, Suat Lici, ata që kanë zyrtarizuar në këtë pozicion Matko Djarmati, ish-futbollist i disa skuadrave në vendin tonë, me rrënjë kroate. Ka nisur kësisoji rrugëtimi ndryshe i klubit shkodran, me synime maksimale në edicionin e ri futbollistik. Tashmë mbetet të emërohet trajneri dhe të bëhen përforcimet e nevojshme në merkato.

“Me anë të kësaj konference duam të prezantojmë akordin me drejtorin tonë sportive, Matko Djarmati. Ky bashkëpunim erdhi si binjakëzim me Rijekën në Kroaci. Ky ishte një propozim i tyre dhe, duke dëgjuar planin e tij, vendosëm për të. Uroj dhe shpresoj që të jetë fillim i mbarë, sepse nga sezoni i ardhshëm kemi plane konkrete për në Europë”, – tha sponsori Alban Xhaferi.

Në fjalën e tij, Djarmati tha se do të zhvendoset për të jetuar në Shkodër, për të qenë në krye të punëve, ngaqë jeta i ka ndryshuar 360 gradë në këto ditë: “Minimumi, një herë në javë do të jemi bashkë në komunikim. Me gazetarët do të jemi korrektë, sepse pa ju klubi i Vllaznisë nuk është i madh. E di ku kam ardhur dhe këto tri ditë që jam në Shkodër më ka ndryshuar jeta 360 gradë. E ndiej peshën e fanellës dhe jam gati për këtë detyrë. Kam ardhur nga propozimi i Rijekës këtu, për një qëllim sportive. Do të jap maksimumin tim për objektivat e klubit. Do të bëjmë një punë si duhet.

Nuk jam propozuar nga asnjë njeri në Shqipëri, as kam dikë që mund të rrijë pas meje. Do të provoj të finalizoj objektivat. Po presim përgjigje nga bordi i Rijekës, por brenda kontratës duhet të ndryshojnë gjërat dhe të kemi propozime konkrete. Kam punuar 2 javë atje me Rijekën. Klubi më ka gjetur apartament dhe kam katër ditë që jetoj në Shkodër”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit