Xhaka rrëfehet për herë të parë pas incidentit me tifozët: Edhe tani nuk e kuptoj reagimin e tyre!

10 Nëntor 2019
9:55
back button

Në 27 tetor luhej sfida mes Arsenalit dhe Crystal Palace dhe në pjesën e dytë të ndeshjes, Granit Xhaka u zëvendësua nga trajneri Emery. Në atë moment, tifozët e Arsenalit nisën të vërshëllenin kapitenin e tyre.

Xhaka, i mërzitur nga sjellja e tifozëve të tij, i fton që të vërshëllejnë akoma më shumë, madje diçka thotë nëpër dhëmbë. Mesfushori del nga fusha dhe heq menjëherë fanellën, duke iu drejtuar dhomës së zhveshjes.

Polemika të shumta, me Xhakën që prej katër ndeshjes nuk grumbullohet me ekipin. Së fundmi, mesfushori ka folur për herë të parë që nga ai incident në një rrëfim për zviceranen “Blick”, ku zbulon se si e ka përjetuar të gjithë këtë situatë.

“Kur pashë numrin tim në tabelën elektronike të gjyqtarit të katërt dhe dëgjova reagimin e tifozëve u mërzita shumë. Ishte shumë e vështirë. Edhe tani nuk e kuptoj reagimin e tyre, sidomos armiqësinë ekstreme të treguar.

Me sa mbaj mend, tifozët gjithmonë kanë qenë krah meje. Që nga fillimi kam pasur shumë respekt nga të gjithë. Kritikat e tyre, kur kanë të drejtë, të bëjnë mirë, pasi të ndihmojnë që të rritesh si futbollist. Gjithashtu, fuqia që ata të japin, të bën ta duash akoma më shumë futbollin.

Ndihem sikur jam pjesë e një familje të madhe. Por në momentin që kjo familje të ofendon, atëherë dhemb shumë. Nuk e kam fjalën që nuk dua kritika. Nëse ekipi nuk luan mirë, duhet të dëgjojmë dhe të mundohemi ta përmirësojmë. Por të ofendosh dhe të vërshëllesh kapitenin tënd, do të shkaktojnë një atmosferë të keqe në ekipin që ti supozohet se po mbështet.

Disa nga shokët e skuadrës kanë ardhur dhe më kanë takuar dhe u ndjeva mirë. Janë munduar të më japin kurajë që ta kaloj këtë moment të keq. Gjithashtu, tifozët e Arsenalin rreth botës nuk e kanë pëlqyer reagimin e atyre në stadium dhe kjo gjë më ka bërë të ndjehem mirë përsëri.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit