Xhonatan Islami fiton për herë të dytë trofeun “Muhamet Malo” në hedhjen me vela!

3 Dhjetor 2018
11:01
back button

Për të dytin vit radhazi, në kompleksin “Dajti Ekspres” është zhvilluar gara e hedhjes me vela për Kupën e Kombit dhe trofeun “Muhamet Malo”. Ky aktivitet mblodhi bashkë mbi 15 parashutistë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët për dy ditë me radhë garuan duke dhuruar emocione deri në fund të aktivitetit. Pista e krijuar një vit më parë nga kompania “Dajti Ekspres” u ka krijuar mundësi parashutistëve të ushtrojnë sportin e tyre, duke mos pasur më nevojë të udhëtojnë për kilometër të tërë larg Tiranës për të fluturuar.

Është Kupa e Kombit për këtë vit, është trofeu “Muhamet Malo”, i cili siç e deklaruam dhe vitin e shkuar do të jetë i përvitshëm. Pista ka dhënë rezultatet e veta, pasi po shtohen fluturimet, pasi marrin pjesë sportistë të federatës por dhe ata që nuk janë pjesë të federatës. Gara është zhvilluar me 6 raunde.

Ne kemi një objektiv të madh, që në këtë pistë të zhvillohen aktivitete ndërkombëtare, pra të organizohet një event i përmasave “Open”. Dua të falënderoj “Dajti Ekspres” për ndihmën që na ka dhënë”-është shprehur Artin Vreto, organizator i këtij aktiviteti.

Gara ka qenë emocionuese dhe me rivalitet deri në fund, ku fituesi i një viti më parë, Xhonatan Islami ishte sërish në konkurrim të drejpërdrejt me Izdri Kubetinin nga Kosova. Edhe këtë vit gara ishte ajo e preçizionit, ku pilotët gjatë zbritjes duhet të ulen në një pikë të paravendosur më parë.

Fitues shpallet ai që grumbullon më shumë pikë në preçizion, të cilat mbahen nga gjyqtarët e garës. Edhe këtë  vit gjithçka u vendos në garën e fundit, ku Xhonatan Islami fitoi me pak pikë diferencë ndaj Izdri Kubetinit, duke u shpallur për herë të dytë radhazi fitues i “Kupës së Kombit” dhe trofeut “Muhamet Malo”.

Djali i Z. Muahmet Malo, Hauardi, i dorëzoi trofeun fituesit të këtij aktiviteti Xhonatan Islamit. Gjatë fjalës së tij, Haurad Malo, u shpreh i nderuar që ai dhe familja e tij vazhdojnë të ecin në gjurmët e babait të tyre, duke mbështetur sportin e aeronautikës dhe jo vetëm.

Ne jemi shumë të lumtur që mbështesin Federatën e Aeronautikës edhe këtë vit, dhe shpresojmë që të vazhdoi çdo vit kjo kupë. Jemi shumë të nderuar dhe ashtu siç ndihmonte babi jonë sportin, edhe ne do vazhdojmë të bëjmë këtë gjë”-u shpreh Hauard Malo.

Ndërsa fitusi i këtij edicioni të trofeut “Muhamet Malo” dhe Kupës së Kombit, Xhonatan Islami, u shreh i nderuar që fiton për herë të dytë trofeun që mban emrin e një njeriu, që ka mbështetur shumë sportin e aeronautikës.

Është kënaqësi të fitoj për vitin e dytë radhazi trofeun “Muhamet Malo”, është një trofe i një personi që me të vërtetë na ka ndihmuar shumë në këtë sport. Më vjen shumë mirë që është kthyer në një traditë, ky është viti i dytë dhe që do vazhdoi dhe më tej”-tha Xhonatan Islami.

Renis Tërshana, President i Federatës Shqiptare të Aeronautikës, gjatë fjalës së tij tha se ky aktivitet po kthehet në traditë, ndërkohë që falënderoi familjarët e Z.Muhamet Malo, që vazhdojnë të jenë mbështetës të sportit.

Jemi të gjithë shumë të gëzuar që kjo garë, shkoi shumë mirë. Dua të falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për performacën, për angazhimin, për seriozitetin. Është krijuar një traditë shumë e mirë “Kupa e Kombit”, që i dedikohet dhe një mikut tonë, Muhamet Malos, që i ka dhënë shumë sportit dhe këta janë njerëzit e kombit. Falënderoj dhe familjen që vazhdon të mbështesin sportin”-tha Tërshana.

Vendin e dytë në këtë garë e zuri Izdri Kubetini nga Kosova ndërsa në vendin e tretë u rendit Arbër Xhaja.  Fituesi i këtij aktiviteti shpërblehet edhe me një shumë financiare prej 1000 euro, ndërkohë vitin e ardhshëm, në malin e Dajtit, Federata Shqiptare e Aeronautikës po mendon organizimin e një aktiviteti ndërkombëtar të niveleve “Open”.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit