Yjet e Monaco zbulojnë të vërtetën: Henry na poshtëroi

25 Janar 2019
14:43
Denis Hakanaj
back button

Të kthehesh me ish-të dashurën/të dashurin nuk është kurrë e lehtë, por kur ndodh do të thotë se ardhmja mund të jetë akoma më problematike. Këtë e kanë kuptuar shumë mirë te Monaco, që është buzë greminës edhe për faj të dështimit të Thierry Henry. 

Marrëdhënia mes skuadrës dhe trajnerit është mbyllur zyrtarisht të enjten në mbrëmje dhe klubi mund të rikthejë Leonardo Jardim në vendin e tij, një tjetër ish, i shkarkuar tetorin e kaluar pas një fillimi zhgënjyes të sezonit. Duke parë atë që ka ndodhur më mbrapa, dorëzimi i skuadrës në duart e një legjende të klubit ka qenë një gabim i madh.

Henry nuk arriti kurrë të ndalte hemorragjinë e rezultateve negative (vetëm 4 fitore në 20 ndeshje) dhe e ka mbyllur eksperiencën e tij duke humbur plotësisht kontrollin, siç u pa edhe në ndeshjen e luajtur kundër Strasbourg fundjavën e kaluar. Një skenë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga drejtuesit e ekipit, që kanë vendosur ta pezullojnë dhe shkarkojnë pas vetëm 104 ditëve në drejtim të skuadrës. Përveç rezultateve negative, ka qenë marrëdhënia e keqe e Henry me lojtarët që ka përkeqësuar situatën. 

Sipas "Mirror", në fakt, francezi i ka poshtëruar lojtarët e tij. Kanë qenë disa yje të ekipit, të mbetur anonim, që e kanë zbuluar një gjë të tillë. "I fliste keq lojtarëve dhe ky është një fakt. Ka marrë si shembuj negativ disa persona të ekipit dhe kjo nuk i ka pëlqyer askujt. Ka dhënë përshtypjen se nuk i interesonte mendimi i të tjerëve". 

Nuk mbaron me kaq, sepse Henry mësohet të ketë poshtëruar një prej lojtarëve të tij gjatë një ndeshjeje: "Pak kohë më parë ka bërtitur: 'Ky këtu vlen 10 milionë euro?'. E ka dëgjuar gjithë stoli, një mesazh shumë negativ". 

Duket se karriera e Henry si trajner ka përfunduar pa filluar mirë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit