Ylli i Bayernit: Mbeta mbi paterica, pata frikë se do ta lija futbollin

14 Nëntor 2019
12:04
Alfred Lleshi
back button

Francezi i Bayern Munich, Kingsley Coman, pranon se nuk do të bëhet kurrë një “vrasës” i portave kundërshtare, pra një golashënues “pjellor”; por kjo nuk do ta ndalojë që të bëhet më egoist në lojën e tij. 23-vjeçari e gjen veten në formacionin titullar të kombëtares franceze, pasi ka shënuar tre gola në katër ndeshjet e fundit me të. Përpara kualifikueseve përmbyllëse të “Euro 2020” kundër Moldavisë dhe Shqipërisë, ai pranon se po kërkon më shumë nga vetja: “Jam i detyruar të jem më i pranishëm para portës kundërshtare dhe po krijoj më shumë shanse. Sidoqoftë, nuk mendoj se do të jem ndonjëherë dikushi, që të shënojë 30, 40 apo 50 gola në një sezon. Ky instikt, i të qenurit “vrasës” para portës, nuk është i natyrshëm për mua, edhe nëse punoj për të.

Më pëlqen të krijoj raste, por e di që shënimi i golave është shumë i rëndësishëm. Kësisoji, jam i rreptë me veten dhe përpiqem të jem më egoist. Dua ta thyej rekordin tim të 12 golave në një sezon, të arrij më shumë. Ky është objektivi im. Unë e di se statistikat janë shumë të rëndësishme, por nuk dua ta ndryshoj plotësisht lojën time dhe të jem i fiksuar me portën kundërshtare gjatë gjithë kohës. Unë jam një sulmues anësor, objektivi im është para së gjithash të krijoj raste. Ekipi duhet të jetë homogjen dhe të ketë lloje të ndryshme lojtarësh”.

Coman kaloi një sezon të vështirë 2018-2019, në të cilin u operua dy herë: “Ishte një vit i vështirë, sepse bëra dy operacione dhe pata dy periudha të gjata me paterica, që zgjatën shtatë, ose tetë javë. Kur jeni me paterica dhe jetoni për shkak të këmbëve tuaja, nuk ka asgjë që mund të bëni. Dhe sa herë që dilja në fushë, kyçi i këmbës ishte i lënduar. Kur u ktheva për herë të dytë, thashë mos lëndohesha për së treti, pastaj mund të largohesha fare nga futbolli. Psikologjikisht isha me moral shumë të ulët, por për fat të mirë nuk zgjati shumë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit