Ylli i Dortmundit: Idhull kam Ronaldinho, ja pasardhësit e Messit dhe Ronaldos

13 Shkurt 2019
12:25
Alfred Lleshi
back button

Eshtë mjaft i ri, por po spikat me fanellën e Borussia Dortmund. Tani është radha të dëshmojë vlerat edhe në një kompeticion madhor europian, sikurse është Liga e Kampionëve. Jadon Sancho nuk iu trembet sfidave, ndërsa zbulon ambiciet e tij. I intervistuar nga DAZN, Sancho menjëherë shprehu preferencën e tij midis kampionëve të së kaluarës:

"Idhulli im është Ronaldinho, për lehtësinë me të cilën i ka bërë gjërat në kohën e tij, gjë që askush nuk mund ta bëjë. Tani njerëzit më shohin mua dhe thonë: sikur pashë Ronaldinho! Duke i dëgjuar ato, mendova: dua të bëhem një ditë si ai. Shpresoj se mund ta arrij atë nivel".

Futbollisti anglez u ndal te shokët më të fortë, me të cilët ka luajtur deri më tani, si në rang klubi, edhe me ekipin kombëtar: "Është e vështirë për të veçuar dikë, sepse kam luajtur me shumë lojtarë të mirë. Raheem Sterling është një prej tyre, Marco Reus është padyshim një tjetër. Të dy kanë pasur një ndikim të madh mbi mua. Maro më ka ndihmuar shumë për t'u rritur si lojtar. Gjithashtu, argëtohemi shumë me të jashtë fushës".

Sancho pastaj zgjodhi dy trashëgimtarët natyrorë të Ronaldos dhe Messit në “Olimpin” e futbollit: "Neymar dhe Mbappe, për ata flasin numrat e çmendur. Veçanërisht Mbappe është duke bërë gjëra të jashtëzakonshme, pavarësisht moshës së tij të re. Eshtë një shembull dhe një stimul për çdo fëmijë në mbarë botën. Ai ka fituar tashmë një Kupë Bote dhe mund të bëjë histori."

Shumë lojtarë anglezë po vendosin të rriten diku tjetër. Sancho përshkruan përvojën e tij: "Unë kam kërkuar vetëm të luaj futboll. Kam kërkuar gjithmonë të jem një futbollist profesionist. Ekipi im më ka ndihmuar dhe po më ndihmon të bëhem ky që jam sot. Askush nuk mund të ketë 100% konsensus, por kjo është jeta". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit