Ylli i kampionatit francez zbarkon në Angli, më në fund një dhuratë për Pochettinon!

2 Korrik 2019
12:56
back button

Që kur bleu Lucas Moura nga PSG në janar 2018 Tottenhami hoqi dorë nga merkatoja, duke mos shitur e blerë askënd deri më sot.

Megjithatë, tashmë stadiumi ka përfunduar dhe klubi e ka kuptuar se për të qëndruar në nivele të larta i duhet një skuadër e kompletuar, kërkesë e prerë e trajnerit Mauricio Pochettino për të mos u larguar.

Tashmë vjen edhe goditja e parë e madhe, sepse klubi londinez ka mbyllur marrëveshjen me Lyonin për mesfushorin e talentuar Tanguy Ndombele, i cili është fotografuar sot në Londër, ku ka shkuar për të kryer kontrollet mjekësore.

Tottenhami ka rënë dakord me Lyonin për 62 milionë euro (55 milionë sterlina), plus 10 milionë në bonuse, duke thyer rekordin e transferimit më të shtrenjtë në historinë e klubit, që mbahej nga Davinson Sánchez, i blerë nga Ajax në vitin 2017 për 42 milionë sterlina.

Ndombele, 22 vjeç, do të marrë vendin e lënë bosh nga Mousa Dembélé, i transferuar në Kinë pak muaj më parë. Lojtar me cilësi të jashtëzakonshme dhe një driblim fantastik, ndaj do të përforconte ndjeshëm mesfushën e Tottenhamit, ku natyrisht mbetet pezull e ardhmja e Eriksen, i cili kërkohet nga Real Madridi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit