Zanetti analizon shortin: Lehtësim që shmangëm Milanin, pres një ekip italian në finale të Champions-it

17 Mars 2023
13:58
Alfred Lleshi
back button

Javier Zanetti, zëvendëspresident i Interit, foli për “Sport Mediaset” pas shortit të Ligës së Kampionëve, ku “peshkoi” Benfica në çerekfinale: “Benfica është gjithmonë e vështirë për t’u përballur, po konfirmon në Champions League atë që bën në kampionatin portugez. Kundërshtari ka cilësi ekipore, por ne e dimë forcën tonë.

Do të duhet përqendrim dhe forcë e madhe mendore, Simone Inzaghi dhe djemtë do ta përgatisin në mënyrën më të mirë të mundshme”.

A do të luani në kujtim të vitit 1965?
Ato janë historira të Interit. Facchetti dhe Mazzola gjithmonë më kanë folur për atë ndeshje. Tani le ta rijetojmë këtë përballje dhe shpresojmë të jemi në lartësinë e tyre.

Si i shpjegoni ulje-ngritjet e zikaltërve?
Ne po punojmë për këtë, nuk është hera e parë që na ndodh. Në Serie A na ka ndodhur shumë herë jashtë shtëpisë. Flasim shumë për këtë me trajnerin dhe djemtë sepse ka vend për përmirësim. Në këtë pikë të Ligës së Kampionëve nuk mund t’i nënvlerësosh disa gjëra, do të duhet të jemi shumë të përqendruar. Do të jenë dy ndeshje magjepsëse, me një gjysmëfinale për t’u rrëmbyer.

A është lehtësim që e keni shmangur Milanin tani për tani?
Për momentin, kalendari është shumë i ngarkuar dhe të gjitha janë ndeshje të rëndësishme. Po të kishim derbi në Champions nuk do të flinte i gjithë qyteti. Për momentin le të shohim se cili do të përparojë mes Napolit dhe Milanit. Të kemi tri skuadra italiane në këtë pikë është shumë e rëndësishme për futbollin tonë. Shpresojmë që dikush të mund të shkojë deri në fund.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit