Zanetti refuzon “play off” për titullin e Serie A, zbulon të ardhmen e Lautaro

2 Prill 2020
15:30
Alfred Lleshi
back button

Italia është gjunjëzuar nga “Coronavirus”, ndërsa sporti i këtij vendi është pezulluar tërësisht. Javier Zanetti, zv.presidenti i Interit tregon se si po i përjeton këto ditë të vështira, në izolim shtëpiak, si të gjithë të tjerët për shkak të pandemisë globale, me shpresën e një rikuperimi gradual: “Është një situatë shumë e vështirë, dramatike në të gjithë botën, sepse “Coronavirus” po e prek kaq shumë popullsinë. Ne nuk mund të nënvlerësojmë asgjë. Ekziston një shqetësim i madh dhe ne si klub, së pari, duke pasur pronësi kineze, kuptuam se ishte një gjë shumë serioze. 

Fatkeqësisht, emergjenca ka mbërritur edhe në Itali, me shumë vdekje dhe shumë njerëz të sëmurë. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Të mendosh për daljen nga kjo situatë sot është shumë e vështirë. Deri më 13 prill duhet të qëndrojmë në shtëpi, me shpresën se ky virus të qetësohet dhe largohet përfundimisht. Është shumë e vështirë të mendosh për rifillimin dhe rikuperimin e ndeshjeve të kampionatit. 

Ata që marrin vendime për të ardhmen e futbollit do të duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sepse po flasim për shëndetin dhe jemi tejet të shqetësuar. Nuk është një diçka që fiket dhe ndizet përsëri. Ne, gjithashtu, duhet të kuptojmë aspektin psikologjik të lojtarëve. Unë perceptoj shqetësim të madh te të gjithë dhe kjo duhet të kuptohet. Personalisht punoj nga shtëpia me trajnerin Conte, me Oriali dhe gjithë të tjerët. Të gjithë jemi duke punuar së bashku”.

Zanetti nuk jep një mendim të qartë për idenë e rifillimit të kampionatit me një “play off” mes tre kryesuesve aktualë të Serie A; Juve, Lazio dhe Inter, për të caktuar fituesin e titullit: “Gjetja e një formule është e komplikuar për momentin. Për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ka më shumë kohë, por së pari duhet të kuptojmë kur do të zgjidhet situata. Ne, gjithashtu, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos bërë kompromise në dëm të sezonit të ardhshëm. Nuk është e lehtë të marrësh një vendim në këtë situatë. Ne duhet t’i shohim të gjitha kartat në tryezë dhe pastaj të shpresojmë të marrim vendimin e duhur”.

Diskutimi më pas u transferua te merkatoja, me Lautaro Martinez në dëshirat e skuadrave kryesore të kontinentit: “Tani, ai është pasuri e klubit tonë. Lautaro është rritur shumë në moshën vetëm 22-vjeçare. Unë, duke e parë atë si stërvitet çdo javë, e shoh të lumtur tek Interi. Ne shpresojmë që të qëndrojë gjatë këtu. Ai dhe të tjerët përfaqësojnë një pasuri të rëndësishme për klubin tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit