Zbardhet fjalimi motivues i Ancelottit te Real Madridi para finales së Champions-it

28 Maj 2022
15:15
Alfred Lleshi
back button

Në Paris po rriten pritshmëritë për finalen e Ligës së Kampionëve mes Liverpool-it dhe Real Madridit, e planifikuar për sonte në “Stade de France”. Carlo Ancelotti, trajneri i “Los Blancos” e ka fituar tashmë tri herë kompeticionin më madhor për klubet në Europë dhe ka mundësinë të bëhet i pari në histori që e ngre për të katërtën herë “kupën veshëgjatë”.

Në analizën e ndeshjes së sotme, trajneri italian, siç është fiksuar nga një video e ‘El Chiringuito’, ka mbajtur një fjalim motivues për skuadrën, duke transmetuar energji dhe besim te lojtarët: “E vërteta është se ajo që është bërë nuk ka rëndësi më shumë.

Duhet ta kuptojmë mirë. Jemi të gjithë për qejf, çka është gjëja më e rëndësishme në futboll. Do të jetë finale e bukur, por edhe e vështirë. Nesër pas finales do të jetë festë dhe të gjithë do të jemi të lumtur. Dhe kjo është e gjitha”.

Ndërkohë, në fonferncën për shtyp para finales, “Carletto” do të nënvizonte: “Liverpool? Në vitin 2014 kishim probleme, por fituam ndaj tij. Nëse një lojtar dëmtohet, nuk mund të luajë. Nëse del në fushë do të thotë që është në gjendje të luajë. Është një finale dhe të gjithë japin gjithçka.

Vjet isha tek Everton? Është një ndryshim i madh. Mora një telefonatë nga presidenti dhe erdha këtu. Arritja në finale është një sukses i madh për ne. Ishte e rëndësishme, pasi kemi bërë një skuadër të mirë dhe jemi afër arritjes së maksimumit. Ambienti është i qetë dhe kjo skuadër i menaxhon shumë mirë këto lloj ndeshjesh.

Duhet të tregojmë cilësitë tona. E kemi treguar gjatë gjithë sezonit. Kur lojtarët kanë dhënë gjithçka, kanë bërë diferencën. Do jetë një sfidë intensive, me shumë vertikalizime. Është finalja e pestë për mua dhe kam kujtime të mira. Është e rrallë ta mendosh, por sfidën që luajta më mirë në vitin 2005 e humba. Nuk do t’u them lojtarëve të mi të luajnë keq, por në një finale gjithçka mund të ndodhë. Duhet të jemi gati”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit