Zbërthehet Ronaldo: Interi dashuria ime e vetme! Me Morattin gabova rëndë

9 Shkurt 2019
9:39
back button

Në letra i njohur me emrin Luis Nazario De Lima, por në futboll bëri bujë me emrin Ronaldo. Një ndër brazilianët më të famshëm dhe me karrierën më të pasur, ku pati luksin të veshë fanellat e klubeve më të mëdha në Evropë. 

E filloi me PSV, për të shkuar te Barcelona, më pas te Interi, u rikthye sërish në Spanjë për te Real Madrid dhe e mbylli me bluzën e Milanit në Serie A. Për eksperiencën në Itali, më saktë atë me Interin, “fenomeni” u ndal të zbulojë të gjithçka ndodhi.

“Te Interi kam kaluar 5 vite shumë të bukura të jetës time. Ka qenë një periudhë shumë e bukur, në një qytet fantastik, ku unë mësova të dua, por edhe jetova mes njerëzve që më donin të mirën. Kam një dashuri të jashtëzakonshme për Interin dhe për qytetin e Milanos, që do të më shoqërojë gjatë gjithë jetës time”, tha Ronaldo.

Ndonëse në verën e vitit 2002 vendosi të largohej për te Real Madrid, ai u shpreh se ky ishte gabimi më i madh që ka bërë, jo për skuadrën e re, por me kushtin që i vendosi presidentit Massimo Mortatti asokohe. Marrëdhënia e sulmuesit me trajnerin Cuper ishte në pikën më të ulët, për këtë ai e vendosi para zgjedhjes presidentin italian: Ose trajneri ose lojtari!

“Nëse do të kthehesha pas, nuk do të vija presidentin Moratti me shpatulla pas murit, pasi atëherë i thashë se duhet të shkarkonte Cuperin, ose në të kundërt do të largohesha unë. Ai vendosi të mbajë trajnerin, pasi nuk mund të pranonte që të bëja unë ligjin, në klubin që drejtonte me shumë pasion e dashuri. Duhet të kisha komunikuar ndryshe me të, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mia me Cuperin, por tani që jam president i Valladolidit, Moratti është një frymëzim për mua”, rrëfeu braziliani.

Ronaldo qëndroi te Interi nga viti 1997-2002, dhe në këto 5 sezone arriti të zhvillojë vetëm 68 ndeshje dhe të shënojë 49 gola, pasi pjesën më të madhe e kaloi jashtë fushe për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi në gju. Gjithsesi, me fanellën zikaltër Ronaldo ka fituar edhe një Kupë UEFA, atë të vitit 1998. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit