Zbulohen sekretet; ja plani revolucionar i Setién ndaj Napolit

3 Gusht 2020
14:43
Alfred Lleshi

Setien po jep shumë indikacione mbi formacionin startues ndaj Napolit, në kthimin e 1/8 finale të Champions-it. Që nga fundi i La Liga-s, trajneri kantabrian është përqendruar në ndeshjen deçizive me italianët, me qëllimin për të arritur një fitore “të rëndë”, që e mbush grupin me besim për më tej. Për ta bërë këtë, gjatë seancave stërvitore, Quique Setién po teston ide të ndryshme, që janë në mendjen e tij dhe dëshironte t’i provonte ato në terren. Një prej tyre është sistemi i lojës, me të cilin ai do të fillojë në “Camp Nou”. Setién po teston modulin 3-5-2. Do të ishte një risi e shkëlqyeshme, pasi katalanasit vijnë nga përdorimi tashmë i skemave 4-3-3 dhe 4-3-1-2, që dhanë një rezultat kaq të mirë në ndeshjen kundër Villarreal.

Ndryshimi dhe kalimi te tri qendra në mbrojtje na kujton ndeshjet e para të Setien si trajner i Barçës, ku ai fitoi minimalisht në Granada dhe Ibiza, pastaj humbi në Valencia. Sipas asaj që është punuar në stërvitje, linja qendrore do të formohej nga Lenglet në të majtë, Piqué në qendër dhe Semedo në të djathtë. Këta të tre do të shoqëroheshin në korsi nga Sergi Roberto dhe Jordi Alba. Duhet mbajtur mend se Lenglet vjen nga tejkalimi i disa shqetësimeve muskulore dhe mund të mos jetë 100 për qind. Me këtë skemë, trajneri i Barçës do të kërkonte të mbronte veten, për të shmangur tranzicionet ofensive të Napolit.

Në qendër të fushës do të ishin De Jong, Rakitic dhe Riqui Puig. Mungesat e Sergio Busquets dhe Arturo Vidal, plus largimi i Arthur, e kufizojnë Setién në përzgjedhjet e mesfushës. Ai pritet të vërë bast për tre lojtarë, që do t’i jepnin dinamizëm me topin dhe sakrificë në detyrat mbrojtëse, elementë kyç kundër një kundërshtari aspak të lehtë. Mbi ta, dyshja e sulmuesve do të formohej nga Leo Messi dhe Luis Suárez. Argjentinasi dhe uruguajiani do të lëviznin nëpër qendër me liri të plotë, në mënyrë që mbrojtësit e Napolit të mos kishin pika referimi fikse. Griezmann, i cili vjen pas një dëmtim, do të sakrifikohej.

NDRYSHIMI I SISTEMIT
Setién gjithmonë është karakterizuar si një trajner shumë i përpiktë me pozicionin e lojtarëve të tij. Prandaj, sistemi 3-5-2 do të përdoret kur skuadra të ketë topin. Në fazën mbrojtëse, do të ndryshojë në 4-4-2. Pra, në fazën defensive të lojës, disa futbollistë do të ndryshonin pozicionin e tyre. Semedo do të shkonte nga qendra e pasme në të djathtë, Jordi Alba do të shkonte në të majtë për të formuar një mbrojtje të zakonshme me katër, së bashku me Piqué dhe Lenglet. Në mesfushë, Sergi Roberto do të vendoset në të djathtë, Riqui Puig në të majtë, ndërsa Rakitic dhe De Jong do të formonin “strumbullarin” e dyfishtë. Mbi ta, Luis Suárez dhe Leo Messi do të vazhdonin të formonin duetin sulmues.

Ndryshimi i sistemit do të vinte për disa arsye. Në sulm, Setién preferon dy korsitë për të hapur fushën, një faktor kyç që lëvizja e topit të jetë e shpejtë dhe të kapërcejë murin italian. Në të njëjtën kohë do të sigurohej që të mos ekspozohej në rast të kundërsulmit të Napolit, pasi që të tria qendrat do të ishin gjithmonë prapa. Kujtojmë se Napoli është një skuadër që ka lojtarë shumë të shpejtë në përbërje si Callejón, Mertens dhe Insigne, edhe pse ky i fundit mund të mungojë për shkak të dëmtimit. Gjatë kësaj jave, Setién do të duhet të vendosë nëse do të “vërë bast” për këtë ide apo 4-3-3 e zakonshëm. Trajneri i Barçës është i vetëdijshëm se e ardhmja e tij është në rrezik. Pra, për të vendos Liga e Kampionëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit