Zbulohet fanella speciale e Interit, produkt “kampionësh” me logon e re

7 Prill 2021
11:06
Alfred Lleshi

Interi bën një hap drejt së ardhmes, duke prezantuar fanellën speciale. Një prodhim i veçantë, i përcaktuar si “vizionar”, i cili shoqëron lançimin e logos së re, pjesë e fushatës “I M MILANO I M INTER”. Është padyshim një fanellë jokonvencionale, e cila kujton disa tipare të modës së futbollit të viteve ’90. Sponsori, i cili tani për tani vazhdon të jetë “Pirelli”, ndodhet vertikalisht përgjatë fanellës dhe jo horizontalisht si gjithmonë. Ja shënimi sqarues i klubit:

“Koleksioni IM përfaqëson vlerat e klubit, të përfshirjes dhe vëllazërisë; një trashëgimi që jeton përmes një komuniteti të ri pionierësh që bashkon Nike, FC Internazionale Milano dhe vetë qytetin. Me ndërthurjen e saj, të formave gjeometrike dhe një gamë ngjyrash që përfshin e verdha, e bardha, e zeza dhe bluja, estetika e kompletit të ri është frymëzuar nga qëndrimi vizionar i një prej themeluesve të klubit, artistit futurist Giorgio Muggiani.

Fanella e re kujton thirrjen për përfshirje, e njëjta gjë si gjithmonë, që e bën Milanon më të mirin qytet “ndërkombëtar” në Itali. Kjo e udhëzon Inter dhe Nike Football për të bërë ndryshimin çdo ditë, brenda dhe jashtë fushës, për të sjellë inovacione pozitive jo vetëm në futboll, por në sport përgjithësisht”.

Shumë e bardhë, shumë e verdhë dhe shumë blu, për një përzierje ngjyrash që mund ta bëjnë fanellën tërheqëse, veçanërisht për më të rinjtë. Kjo është vepra e parë artistike, e krijuar me logon e re të Interit. Fanella e re mund të “debutojë” në një nga ndeshjet e ardhshme të Serie A, këtë sezon. Ajo tashmë është në shitje në dyqanet e Nike, nga 10 prilli do të jetë në dispozicion në të gjitha dyqanet, përfshirë ato në internet të “FIFA Ultimate Team”.

 

 

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit