Zbuloni më të mirin, ja notat e kuqezinjve sipas francezëve

18 Nëntor 2019
9:51
Alfred Lleshi
back button

Shqipëria iu gëzua stadiumit të ri kombëtar, por e nisi keq aty, me humbjen 2-0. Kualifikuesja e fundit në grup për “Euro 2020” i fokusoi edhe një herë tjetër kuqezinjtë në pozita jo fort bindëse, për të mos thënë zhgënjyese. Loja e tanëve la për të dëshiruar, ashtu si ndaj Andorrës, tri ditë më parë. Të thuash që mungoi motivimi, se e kishim mendjen te ndeshja e radhës me kampionët e botës, sikurse qe justifikimi pas barazimit 2-2 në “Elbasan Arena”, kjo nuk ka më kuptim. Diçka nuk shkon në kombëtare dhe trajneri Reja po preket nga sindromi “Panucci”, sipas të gjitha gjasave. 

Brenda grupit janë prishur ekuilibrat, disa janë lënë jashtë të grumbulluarve, disa të tjerë në listën e pritjes, hierarkitë nuk funksionojnë më. Sidoqoftë, për të mos qenë subjektivë, si shqiptarë që jemi, vlerësimin me nota të kuqezinjve tanë në ndeshjen e së dielës mbrëma po e marrim nga francezët, kundërshtarët tanë. Sikurse mund ta shihni edhe më poshtë, Etrit Berisha është më i miri, i vlerësuar me notën më të lartë, 7, nga mediat franceze:

Berisha (7): Ky portier me përvojë, një ish i Lazio, ka bërë sonte paraqitje mjaft pozitive, duke përfshirë një pritje të jashtëzakonshme të Giroud në pjesën e dytë. Një “gardian” klasi, që bën pritje të mëdha, me karizmën e një portieri të vërtetë ndërkombëtar.

Veseli (5): Tërheq përpara, plot iniciativë, por jo gjithmonë ishte frymëzues me pasimet e tij. Sidoqoftë, u mbrojt me shumë saktësi nga ana e tij.

Dermaku (4,5): Në përgjithësi ishte relativisht i fortë. Një barrikadë për sulmin francez, sidomos në pjesën e parë.

Djimsiti (5.5): I gjithëfuqishëm në mbrojtjen shqiptare, ai ka larguar topa të panumërt nga krahu i vet. Ndonjëherë provoi të mbështeste sulmin, por nuk tregoi saktësi në krosime. Sidoqoftë, luajti një ndeshje serioze.

Hysaj (6.5): Mbrojtësi i Napolit ishte ndër më të mirët te shqiptarët. Megjithëse tentoi të ndërmerrte inkursione në fazën ofensive, nuk i bezdisi fort francezët. Shqipëria pati më shumë aktivitet nga ana e tij.

Lenjani (3,5): Nga krahu i tij munguan daljet dhe krosimet në pjesën e parë, ndaj u zëvendësua shpejt. Kurrë nuk ishte mbrëmja e tij, nuk qe në gjendje të ndërhynte në mënyrë efektive. Një ndeshje për t’u harruar! Ai u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë nga Roshi (5.5), shumë më aktiv në atë krah të mesfushës.

Gjasula (4): Ai ishte i tërhequr pak më afër mbrojtjes, ndaj asnjëherë nuk arriti të rikuperojë topat në mesfushë, ku bëhej beteja më e madhe.

Bare (4.5): Ai ishte gjithashtu në telashe kundër kundërshtarëve francezë. Pati vështirësi për të ndërtuar lojën e vendësve dhe mbylljen e trekëndëshave të lojës. Një ndeshje jopozitive nga ana e tij përsa i përket investimit dhe pritshmërive.

Qose (3.5): Krejtësisht fantazëm në pjesën e parë, ai u zëvendësua në pushim nga Memushaj (6), shumë më i frymëzuar dhe oportunist.

Balaj (5): Më pak i dukshëm se sa bashkatdhetari i tij përpara, ai prapë provoi të bëjë gjëra pozitive, sidomos në pjesën dytë, por pa u imponuar kurrë me nismat e tij.

Manaj (6.5): Ai ishte shumë i mirë në pjesën e dytë dhe mund të kishte qenë më i rrezikshëm pa vigjilencën e mbrojtjes së bluve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit