Zico: “Dora e Zotit” e parë e Maradonës ndodhi në Itali, ajo më pezulloi 4 ndeshje!

30 Nëntor 2020
11:53
Alfred Lleshi
back button

Zico ka pohuar se “Dora e Zotit” e parë e Diego Maradonës u shënua në Itali. Madje, ai u pezullua katër ndeshje përse protestoi ndaj vendimit të gjyqtarit për të dhënë gol. Legjendat e futbollit, si e kaluara ashtu edhe e tanishmja, i kanë dhënë “haraç’ Maradonës, pas vdekjes së tij në moshën 60-vjeçare, të mërkurën e kaluar. Ish-mesfushori i Argjentinës, i cili vlerësohet gjerësisht si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, vdiq në shtëpinë e tij në Buenos Aires, pasi pësoi një sulm në zemër.

Pele, Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe shumë të tjerë i kanë bërë homazhe fituesit të Kupës së Botës, ndërsa anëtarët e skuadrës së Anglisë 1986 kanë rijetuar përplasjen e tyre të famshme me Albiceleste në “Azteca Stadium”, në Mexico City. Peter Shilton, Gary Lineker dhe Glenn Hoddle ishin midis atyre të pafuqishmëve për ta ndaluar Maradonën, i cili frymëzoi Argjentinën në fitoren 2-1 në çerekfinale ndaj “Tre Luanëve”. Sidoqoftë, goli i tij me dorë ishte dhe mbetet më i diskutueshmi në historinë e futbollit.

Ish-ylli i Napolit dhe Barcelonës e grushtoi topin mbi Shilton, për të zhbllokuar rezultatin, para se të tregonte anën më të shkëlqyer të lojës së tij, duke shënuar një gol të jashtëzakonshëm “solo”. Zico pretendon se Maradona, gjithashtu, i shpëtoi dënimit për goditjen e topit me dorë dhe dërgimin e tij në rrjetë dy vite më pare, kur luante për Napolin, kundër Udineses. Vetë ai mori karton të kuq për duartrokitjet sarkastike ndaj gjyqtarit, që akordoi gol:

“Ishte viti 1984, sapo kisha mbërritur te Udine. Unë nuk luaja në Napoli dhe Diego shënoi një gol me dorë. Ne ishim 2-1 përpara, por Maradona shënoi golin e barazimit. Loja ishte gati e mbaruar, kur ata goditën traversën dhe Diego pengoi portierin tonë, duke shënuar me dorë. Kryesori dhe ndihmësi i tij nuk e vunë re atë. Unë isha i tërbuar, vrapova pas gjyqtarit dhe i thashë: Urime, vazhdo kështu, po bën mirë. Në fakt për këtë shpërthim u pezullova katër ndeshje. Unë shpesh bëja shaka me të, për golin në fjalë. I thoja Diegos: Ju e stërvitët “Dorën e Zotit” me ne. Ai më përgjigjej duke qeshur: Ju jeni pjesa e mirë e futbollit, unë jam e keqja”.

I pyetur se ku e rendit Maradonën në sallën e famës së futbollit, Zico shtoi: “Maradona është ndër pesë lojtarët më të mirë që kam parë ndonjëherë: Garrincha, Pele, Diego, Cruijff dhe Beckenbauer.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit