Zidane: Nesër, ndeshja më e vështirë. Nuk më futni dot në sherr me Bale

15 Korrik 2020
14:03
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Real Madridit foli në prag të ndeshjes së radhës në La Liga, e cila mund t’i sigurojë titullin kampion.

Ndeshja më e vështirë e sezonit – “Po, me siguri, sepse është e tillë. Villarreal di si të luajë futboll, është një kundërshtar shumë i vështirë, si gjithmonë. Mendoj se do të jetë ndeshja më e vështirë nga ato të fundit, që kemi pasur”.

Gjendja e Hazard – “Nesër do ta shihni, por e vërteta është se është më mirë. Ai është me ne”.

Klubi iu kërkon tifozëve të mos shkojnë në “Cibeles” – “Nesër kemi një ndeshje. Këtu ka shumë zhurmë; festime, pushime, gjithçka… Nesër kemi një ndeshje dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne duhet ta përqendrojmë energjinë tonë në këtë gjë”.

Ndjenja e kampionit në dhomën e zhveshjes – “Jo, jo fare. Gjëja e bukur që kemi është energjia që vendosim çdo ditë, dita-ditës. Është kjo gjëja që na motivon. Pjesa tjetër…, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”.

Dy pikë për të qenë kampion – “Unë nuk do të nënshkruaja për dy barazime. Nuk është se unë e preferoj apo jo, por sepse jemi këtu për një gjë: të mendojmë për ndeshjen e nesërme dhe ta fitojmë atë. Ne përgatitemi për atë. Nuk kam pse mendoj për një barazim nesër, apo të dielën… Nesër do të hyjmë në fushë vetëm për fitore, si në të gjitha ndeshjet. Rivali, sidoqoftë, është shumë i fortë”.

Niveli i Modric dhe “pensionimi” i tij si lojtar – “Mua më pëlqen ajo që dëshiron të bëjë, kjo është gjëja e parë. Në moshën 34-vjeçare, unë u largova nga futbolli, por Luka me siguri dëshiron të vazhdojë. Ai po bën një sezon shumë të mirë. E dimë çfarë lojtari është dhe po ia marrim frytet, si Sergio Ramosit. Të dy janë 34 vjeç”.

Më shumë uri pas rikthimit – “Lojtarët, kur e njohin historinë e këtij klubi, se çfarë është, çfarë dëshiron, kanë ambicie gjithmonë. Gjëja e veçantë është se pas mbylljes prej Covid-19, kur u kthyem në punë, pasi qëndruam në shtëpi gati tre muaj, donim të bënim gjëra të shkëlqyera. Ju mund ta shihni këtë në trajnim, por edhe në ndeshje”.

Ndikimi i situatës së Bale në dhomën e zhveshjes – “Oh, Zoti im, sërish e njëjta pyetja! Ne mendojmë për ndeshjen e nesërme, Gareth është i njëjti. Ai është njëri nga ne. Ju përpiqeni të krijoni probleme mes nesh, por nuk do të jeni në gjendje ta bëni këtë. Ne jemi të bashkuar, mendojmë njësoj. Si ai, si James dhe të gjithë”.

Benzema dhe “Topi i Artë” – “Në futboll të gjithë mund të komentojnë. Për mua, lojtarët e Real Madridit janë më të mirët. Karim nuk është vetëm këtë vit, ai ka bërë shumë mirë për shumë vite. “Topi i Artë” fitohet vetëm nga një. Të gjithë mund të komentojnë, por për mua, të gjithë lojtarët e mi e meritojnë atë trofe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit