Pak ditë pas dëmtimit të Dusan Vlahovic, gjatë ndeshjeve me kombëtaren serbe, çka e lë Thiago Motta pa një “9” të mirëfilltë për sfidat ndaj Milanit dhe Aston Villa, një ish-lojtar i trajnerit në fjalë te Bologna, Joshua Zirkzee, troket në derën e bardhezinjve.
Sipas “La Stampa”, sulmuesi holandez i Manchester United, i cili në Premier League ka shënuar vetëm një gol ndaj Fulham dhe po gjen gjithnjë e më pak hapësira, është ofruar te Juventusi përmes agjentëve të tij për një transferim në janar.
Raportohet se shkuarja e trajnerit Amorim te Manchester United ka krijuar një situatë të vështirë për Zirkzee. Sulmuesi, i cili gjatë verës u kërkua gjatë nga “Zonja e Vjetër”, iu ka kërkuar agjentëve të tij t’i gjejnë një klub të ri përpara se të jetë tepër vonë. Dhe Juventus shihet si destinacioni ideal.
Juve, që është në kërkim të një sulmuesi, nuk dyshon në cilësitë e lojtarit. Në verë, transferimi i tij te bardhezinjtë dështoi për shkak se Bologna këmbëngulte për shitjen përfundimtare (Manchester United e bleu 42 milionë euro), por tani një marrëveshje huazimi duket më e mundshme.