ZYRTARE! Arteta “lidh kërthizën” me Arsenalin deri në vitin 2025

6 Maj 2022
12:03
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka nënshkruar një kontratë të re, duke rënë dakord me klubin deri në fund të sezonit 2024-2025. Spanjolli e mori drejtimin e “Topçinjve” në fund të vitit 2019 dhe e ka ndihmuar klubin londinez të kthehet në garë për “top 4” e Premier League, pra për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.

Arsenali njoftoi një marrëveshje të dyfishtë menaxheriale të premten në mëngjes, me trajnerin e femrave Jonas Eidevall gjithashtu që ra dakord për një kontratë të re. Arteta i tha faqes së internetit të klubit të Arsenalit: “Jam i emocionuar, mirënjohës dhe me të vërtetë i lumtur sot.

Ne duam ta çojmë klubin në nivel tjetër dhe të konkurrojmë vërtet me skuadrat më të mira. Për ta bërë këtë, duhet të luajmë në Ligën e Kampionëve. Duhet të jemi në gjendje të evoluojmë me ekipin, t’i përmirësojmë lojtarët tanë, t’i përmirësojmë të gjitha repartet, të krijojmë edhe më shumë lidhje me tifozët tanë, të përmirësojmë atmosferën në ‘Emirates’, të jemi në gjendje të rekrutojmë talentet më të mirë dhe njerëzit më të mirë për këtë klub”.

Spanjolli u emërua nga Arsenali më 22 dhjetor 2019, pas drejtimit të dështuar të Unai Emery. Arteta mori përsipër detyrën e parë si kryetrajner në karrierë, pasi kishte qenë ndihmës i Guardiolës te Manchester City.

Ndërsa ishte një vendim i rrezikshëm nga “Topçinjtë” për t’ia besuar rolin e trajnerit një debutuesi, Arteta ka impresionuar në masë të madhe në “Emirates Stadium”. Ai e udhëhoqi Arsenalin drejt “FA Cup” në fund të sezonit 2019-2020, duke mundur Chelsea. Pra, fitoi një trofe në sezonin e ndërprerë nga koronavirusi.

Arteta, ndërkohë, e ka Arsenalin në garë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve për sezonin 2022-2023, një kompeticion në të cilin nuk kanë luajtur që nga viti 2017. Arsenali është i katërti në Premier League, me katër ndeshje ende për t’u luajtur. “Topçinjtë” kanë dy pikë më shumë se rivalët e Tottenham.

Arteta gjithashtu ka rinovuar skuadrën dhe kulturën e lojës së Arsenalit, duke lejuar lojtarë të vjetër si Mesut Ozil dhe Pierre-Emerick Aubameyang. Ai ka promovuar talentet e rinj si Bukayo Saka dhe Emile Smith Rowe në role kryesore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit