Zyrtare!!! Joe Joyce dhe Joseph Parker sfidë më 24 shtator, fituesi mandatohet për titullin

5 Gusht 2022
11:21
Gentian Spiri

Boksieri britanik Joe Joyce (14 fitore e 0 humbje në karrierë) do të duelojë më 24 shtator ndaj neo-zelandezit Joseph Parker (30 fitore e 2 humbje në karrierë). Sfida do të zhvillohet në Manchester Arena dhe fituesi do të mandatohet (urdhërohet) të duelojë për titullin kampion në peshën e rëndë.

Pra, një duel ku fituesi do të ketë mundësi më pas të duelojë për titullin kampion bote në këtë Divizion edhe pse ende nuk dihet se për cilën kategori. Joseph Parker është ish-kampion bote në këtë Divizion, teksa në vitin 2016 mposhti Andy Ruiz dhe mori titullin e kategorisë WBO.

Joyce dhe Parker janë kandidatë për titullin kampion pikërisht të kësaj kategorie (WBO), duke qenë se renditen në vendet 2 e 3, pas kampionit Oleksandr Usyk. Ukrainasi mban titullin e kësaj kategorie dhe do ta mbrojë atë në sfidën e 20 gushtit ndaj Anthony Joshua në Arabinë Saudite.

Një sfidë kjo mes Joyce dhe Parker që pritet me shumë interes, pasi janë dy kandidatë seriozë për t’u shpallur kampionë bote. Fituesi mund të duelojë më pas edhe për titullin e kategorisë WBC, duke qenë se ai mund të nxirret vakant nga Tyson Fury, që ka deklaruar tërheqjen nga sporti.

Gjithsesi, shumë gjëra në lidhje me të ardhmen e këtij Divizioni do të vendosen nga sfida Joshua-Usyk, me fituesin që mund të duelojë me Tyson Fury, për të unifikuar titujt kampionë bote. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, atëherë fituesi i duelit Joyce-Parker do të ketë mundësi të duelojë me fituesin e revanshit Joshua-Usyk.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit