ZYRTARE | Partizani zgjedh trajnerin e ri dhe “prezanton” surprizë drejtorin sportiv: dy rikthime

3 Janar 2022
17:45
Telesport

Partizani ka nisur sot përgatitjet për vitin e ri kalendarik me dy risi të rëndësishme.

Skuadra do të drejtohet nga Dritan Mehmetit, do të jetë trajneri i ri i të kuqve, të paktën deri në fund të sezonit aktual.

Pas largimit të Ilir Dajës, drejtuesit e Partizanit vendosën për një zgjidhje brenda familjes, duke qenë se Mehmedi deri në fund të vitit të kaluar mbante postin e trajnerit të ekipit U-21.

Komunikata e klubit

“Nisin sot zyrtarisht përgatitjet për vitin 2022

Me fillimin e vitit të ri 2022 ekipi ka nisur zyrtarisht përgatitjet në drejtimin e Dritan Mehmetit. Pjesë e familjes së kuqe nga sezoni 2018 – 19 sezon në të cilin u shpall edhe kampion i Shqipërisë në detyrën e zv. trainerit, Mehmeti ka drejtuar më parë Partizanin B dhe nga ky sezon ishte në krye të ekipit U-21.

Nën drejtimin e trainerit Mehmeti sot ekipi ka zhvilluar seancën e parë në orën 11:30 në ambientet e kompleksit sportiv “Fooball Republic” për takimin ndaj Egnatias”

Befasi në seancën stërvitore ishte edhe prezantimi i një drejtori të ri sportiv, që është pikërisht Dritan Dervishi. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për një rikthim, pasi Dervishi ka mbajtur të njëjtin pozicion edhe në sezonin 2015-2016, ndërsa tani rikthehet sërish në klubin e kuq.

Një emër i njohur në këtë fushë, pasi krahas Partizanit e Kukësit në Shqipëri, ka eksperienca të përafërta edhe në klube italiane, si Verona kur militonte në Serinë B.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit