Zyrtare: Provë e suksesshme, Laçi përforcohet me një brazilian

29 Qershor 2019
12:45
back button

Laçi ka zyrtarizuar sot një tjetër përforcim në prag të sfidave të Europa League, sepse ka firmosur me brazilianin Teldiano Guimaraes Franca Junior, shkurt Teco.

Bëhet fjalë për një anësor ofensiv 24-vjeçar, i cili luan në sulm e mesfushë. CV e varfër, Teco ka luajtur vetëm në Serinë D braziliane dhe në kampionatet rajonale, ndërsa ka shënuar shumë pak. Këtë sezon teco e nisi te Treze, në Serinë D, por pas një fillimviti të mirë në kampionatin krahinor Paraibano, niveli i tij pësoi rënie dhe Treze nuk e konfirmoi në listën e kampionatit.

Kjo bëri që Laçi fillimisht ta merrte në provë dhe trajneri Starova e ka vëzhguar për disa ditë, duke e parë edhe në miqësoren e para pak ditëve ndaj Kukësit. Ndoshta edhe për faktin se është në hall, pasi nuk ka shumë kohë merkato, Starova ka dhënë OK për brazilianin, i cili do të ketë dy ndeshje në dispozicion për të treguar sa vlen.

Nëse nuk bind deri në fund të aventurës europiane, nuk është çudi që Laçi ta largojë, pasi edhe vjet sulmues kroat Vice Kendes luajti 4 ndeshje në Europa League dhe më pas u largua, duke mos debutuar në Superiore.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit