Zyrtare: Rubin Hebaj gjen ekipin e ri, kalon te shqiptarët e Maqedonisë

19 Janar 2021
16:54
Eraldo Harlicaj

Sulmuesi Rubin Hebaj është prezantuar zyrtarisht te Shkëndija. Shkodrani u largua nga skuadra e Teutës dhe gjeti menjëherë ekipin e ri. Ai ka arritur marrëveshjen direkte me ekipin e trajnerit Ernest Gjoka dhe klubi i shqiptarëve të Maqedonisë firmosi me futbollistin.

“ KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me Rubin Hebajn. Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite.

“I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzale.

“Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës.

“Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Shqipërisë

“Hebaj është përforcimi i parë i Shkëndijës në merkaton e janarit dhe të gjithë në klub i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me fanellën kuqezi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit