Zyrtare / Shkarkoi Henry, Monaco rikthen trajnerin

25 Janar 2019
22:13
back button

Monaco ka konfirmuar shkarkimin e trajnerit Thierry Henry, pas vetëm 20 ndeshje në drejtimin e skuadrës që rrezikon seriozisht rënien nga Ligue 1. Ish-sulmuesi i Francës dhe Arsenal fillimisht u pezullua, por tashmë klubi ka zyrtarizuar shkarkimin e tij. Leonardo Jardim, i cili u shkarkua nga klubi në tetor, ka marrë sërish detyrën dhe ka nënshkruar një kontratë të vlefshme për dy vite e gjysmë. 

Henry pasoi Jardim me bujë të madhe në tetor, por ai dështoi të siguronte rezultate të qëndrueshme në atë që ishte eksperienca e tij e parë si trajner kryesor, ndërkohë që më parë ka qenë zëvendës i trajnerit të përfaqësueses së Belgjikës Roberto Martinez. Henry udhëhoqi skuadrën e Monaco në 20 ndeshje në të gjitha kompeticionet, por nuk arriti dot të shpëtojë ekipin nga zona e rrezikshmërisë së lartë për rënien në kategorinë inferior.

"Thierry Henry është një legjendë e futbollit, por për shkak të rrethanave të ndërlikuara dhe aspak favorizuese, mbi të gjitha për shkak të dëmtimeve të shumta të futbollistëve, e kushtëzuan atë që të udhëheqë ekipin drejt shpëtimit nga kriza. Unë dua të shpreh mirënjohjen time për Thierry Henry që pranoi këtë sfidë dhe që tentoi të drejtojë skuadrën e ish-klubit të tij në një periudhë kaq të vështirë” u shpreh drejtuesi i lartë i klubit të principatës, Vasilyev. 

"Atij i është dashur më shumë kohë për të implementuar idetë dhe planet e tij. Fakteqësisht për pozitat tona, ne nuk kemi shumë kohë në dispozicion. Na duhet të reagojmë pa vonesë. Prandaj ne kemi marrë vendimin të ndërpresim bashkëpunimin me Thierry Henry”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Monaco Vadim Vasilyev përmes një komunikate. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit