Zyrtari i lartë i Katarit e pranon publikisht: Humbjet e jetës për infrastrukturën e Botërorit, midis 400 dhe 500

30 Nëntor 2022
8:15
Alfred Lleshi
back button

Një zyrtar i Katarit, i përfshirë në organizimin e Kupës së Botës, ka vendosur numrin e vdekjeve të punëtorëve në lidhje me turneun “midis 400 dhe 500″. Ky konfirmim vjen për herë të parë dhe është një numër drastikisht më i lartë se çdo edicion tjetër më parë se në Doha.

Komenti nga Hassan Al-Thawadi, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Suprem të Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë, u bë gjatë një interviste me gazetarin britanik Piers Morgan. Ai dëshironte të kundërshtonte kritikat nga grupet e të drejtave të njeriut për zhvillimin e Botërorit të parë në Lindjen e Mesme, duke pasur parasysh punëtorët migrantë që ndërtuan stadiume, linja metroje dhe infrastrukturë me vlerë më shumë se 200 miliardë dollarë për turneun.

Komiteti i Lartë dhe qeveria e Katarit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga “Associated Press” të martën. Në intervistë, pjesë të së cilës Morgan postoi në internet, gazetari e pyeti Al-Thawadi: Cili është totali i sinqertë dhe realist sipas jush i punëtorëve migrantë që vdiqën nga, ose si rezultat i punës që po bëjnë për Kupën e Botës në tërësi?”

“Vlerësimi është rreth 400, midis 400 dhe 500 personave, – u përgjigj Al-Thawadi. – Nuk e kam numrin e saktë. Kjo është diçka e diskutueshme”. Por kjo shifër nuk është diskutuar më parë publikisht nga zyrtarët e Katarit. Raportet nga Komiteti i Lartë që datojnë nga viti 2014-2021 përfshijnë vetëm numrin e vdekjeve të punëtorëve të përfshirë në ndërtimin dhe rinovimin e stadiumeve, që tani presin Kupën e Botës.

Këto shifra të publikuara e vendosin numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 40. Ato përfshijnë 37 nga ato që katarianët i përshkruajnë si incidente jo-pune, si sulmet në zemër dhe tre nga incidentet në vendin e punës. Një raport, gjithashtu rendit veçmas një vdekje punonjësi nga COVID-19 në mes të pandemisë.

Al-Thawadi vuri në dukje ato shifra kur diskutoi punën në stadiume, në intervistë, përpara se të ofronte numrin e vdekjeve prej 400-500 në total për ndërtimin e gjithë infrastrukturës së turneut.

Që kur FIFA i dha të drejtën e zhvillimit të Botërorit në vitin 2010, Katari ka ndërmarrë hapa për të riparuar praktikat e punësimit të vendit. Kjo përfshin eliminimin e sistemit të tij të punësimit kafala.

Katari ka miratuar gjithashtu një pagë minimale mujore prej 1.000 rijalë (275 dollarë) për punëtorët dhe ndihma për ushqim e strehim për punonjësit që nuk i marrin ato përfitime drejtpërdrejt nga punëdhënësit e tyre.

Aktivistët i kanë bërë thirrje Katarit të bëjë më shumë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të siguruar që punëtorët të marrin pagat e tyre në kohë dhe të mbrohen nga punëdhënësit abuzues.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit