Zyrtarizohet, një tjetër legjendë e Serisë A largohet nga Italia

14 Maj 2019
9:11
back button

Plot 18 vjet me fanellën e Romës do të mbyllen në fund të këtij sezoni për Daniele e Rossi, pasi klubi italian bëri me dije se mesfushori i tyre do të largohet sapo të mbyllet kampionati.

De Rossi u rrit në sektorin e të rinjve të klubit kryeqytetas, ku ka zhvilluar 615 ndeshje me ekipin e Romës, ka shënuar 63 gola dhe tani në moshën 35-vjeçari i jep lamtumirën tifozëve verdhekuq.

Me Romën ka fituar dy Kupa Italie, në vitin 2007 dhe 2008, dhe një Superkupë, po në vitin 2007, ku shënoi gol përcaktues ndaj Interit në “San Siro”.

Sipas njoftimit të klubit romanist dhe vetë presidentit James Pallota, De Rossi do të vijojë karrierën në një klub tjetër, pasi nuk ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur pavarësisht moshës. 

Me të gjitha gjasat e ardhmja e tij do të jetë jashtë Europe, në një nga skuadrat në Azi, Amerikë ose Lindjen e Mesme, më shumë informacione do të japë vetë lojtari, i cili në mesditë do të dalë në një konferencë për shtyp.

De Rossi njihet edhe për kontributin e madh në kombëtaren e Italisë, ku numëron 117 ndeshje , duke u bërë lojtari i katërt në historinë e “azurreve” që kanë luajtur më shumë ndeshje. Ai ka fituar një Kupë Bote në vitin 2006 dhe ka marrë pjesë në tri të tilla, tre herë në Europian dhe dy herë në Kupën e Konfederatave.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit