Shqipëri-Kili, miqësorja me sfond “Euro 2024”. Ja formacioni startues i kuqezinjve

22 Mars 2024
12:41
Alfred Lleshi
back button

Sonte, prej orës 20:45, në “Ennio Tardini” të Parmës do të luhet miqësorja e kuqezinjve tanë ndaj Kilit. Një test disi “ekzotik”, sepse përballë do të kemi kundërshtar amerikano-jugor, gjë që nuk ka ndodhur shpesh. Si e tillë, kjo miqësore mbart “kurthe” në vetvete, sepse kundërshtari është mjaft i fortë, por edhe nuk njihet sa duhet, duke qenë në rinovim e sipër.

Gjithsesi, trajneri Sylvinho mendon përtej rezultatit, edhe pse e ka përsëritur me forcë se për të nuk ka miqësore (asnjë nënvlerësim). Pra, i konsideron të gjitha përballjet në krye të kuqezinjve si ndeshje zyrtare. Kjo dëshmon seriozitetin e tij, që dita-ditës e ka injektuar edhe te lojtarët.

Kjo do të jetë miqësorja e parë përgatitore në funksion të “Euro 2024”, ku Shqipëria do të jetë në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Do të ketë vend edhe për eksperiemente, sepse këtë funksion kanë miqësoret, por pa denatyruar ekipin me të cilin zhvilluam një fushatë eliminatoresh të shkëlqyera.

Natyrisht, Sylvinho nuk ka ndërmend të ndryshojë asgjë në modulin e tij të lojës, 4-3-3, që mund të lexohet edhe si 4-2-3-1 (që në fazën difensive bëhet 4-5-1). Informacionet nga Parma, ku ndodhen qysh dje kuqezinjtë, bëjnë me dije se pjesa më e madhe e formacionit startues ndaj Kilit do të jetë ai tip i kualifikueseve.

Me pak ndryshime, duke nisur nga porta, ku Strakosha do të luajë në vend të Berishës, me probleme fizike. Edhe në qendër të mbrojtjes me katër do të ingranohet Mihaj në mungesë të Ismajlit, i dëmtuar. Gjimshiti do të kompeltojë dyshen e qenrës, me Mitaj dhe Hysaj nga krahët.

Mesfusha do të ketë tre emrat e zakonshëm: Asllani, Bajrami dhe Ramadani. Nga krahët, si “pistonë”, në ndihmë të qendërsulmuesit Broja, që ka marrë besimin e Sylvinhos, edhe pse ka luajtur fare pak me klubin, do të patrullojnë Seferi dhe Asani.

Kuptohet, me kalimin e minutave, në varësi edhe të situatave, trajneri kuqezi do të bëjë edhe zëvendësime, duke iu dhënë mundësinë sa më shumë elementëve për të treguar sa vlejnë. Sidomos prurjet e reja (dhe rikthimet) si Kumbulla, Manaj, Hoxha e ndonjë tjetër, duhen parë në veprim se çfarë gjendjeje kanë, teksa në klubet e tyre po bëjnë mirë dhe jo.

Llogari duhen bërë edhe për miqësoren pas tri ditësh, në Suedi, ku pritet të ketë freskim të formacionit startues, për të mos i ngarkuar shumë titullarët anti-Kili.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit