28 gola në 22 ndeshje, Juventusi nuk heq dorë nga talenti që po “çmend” Europën

13 Dhjetor 2019
9:37
Alfred Lleshi
back button

16 gola në 14 ndeshje të kampionatit austriak, të cilëve duhet t’iu shtohen edhe 8 të tjerë, të shënuar në 6 ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe 4 në 2 ndeshje të Kupës Austriake. Të gjithë përbëjnë një total prej 28 golash, të shënuar në 22 ndeshje. Vetëm 19 vjeç, Erling Haaland është bërë një nga sulmuesit më të kërkuar në Europë. Siç u tha të enjten, xhevahiri i Salzburgut, gjatë ditëve të kaluara shkoi në Gjermani për të biseduar së pari me Borussia Dortmund dhe më pas me Leipzig (një klub me të njëjtën pronësi si Salzburg).

Ndjenja është se fenomeni norvegjez mund të kalojë në Bundesligë, por shumë të interesuar të tjerë nuk do të heqin dorë. Sipas raporteve të “The Guardian”, Manchester United dhe Juventus ende nuk kanë hequr dorë prej tij dhe në të vërtetë, para se të merrte një vendim përfundimtar, Haaland do të ishte i gatshëm të bisedonte me “Djajtë e Kuq” dhe kampionët italianë.

Talenti norvegjez mund të çlirohet që në janar, falë një klauzole prej rreth 25 milionë eurosh, të futur në kontratën e tij. Sidoqoftë, shpresat e Salzburgut janë që, falë interesit të madh për 19-vjeçarin, të përfitojë shumë më tepër. Juventusi nuk ka hequr dorë akoma, edhe pse dëshira e lojtarit është të gjejë një ekip, që mund t’i garantojë sa më shumë hapësirë aktivizimi. 

Frika e tij është se te bardhezinjtë do ta ketë shumë të vështirë të jetë menjëherë protagonist, pasi duhet të përballet me garën e kampionëve të kalibrit të Higuain, Cristiano Ronaldo dhe Dybala. Sipas “Corriere dello Sport”, për të fituar konkurrencën intensive dhe për ta bindur lojtarin dhe agjentin e tij, Mino Raiola, Juve ka paraqitur tashmë një propozim page prej 3 milionë euro në sezon, plus shpërblimet.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit