Nëse pas një sezoni të themi të vështirë, atij të kaluar, Barcelona është kthyer të argëtojë dhe të argëtohet, merita është në masë të madhe e trajnerit të ri Hans-Dieter Flick. I ardhur gjatë verës së kaluar, pas aventurave prestigjioze me Bayern Munich dhe kombëtaren gjermane, tekniku nga Heidelberg ka arritur të fitojë tre trofe që në përpjekjen e parë me katalanasit: Superkupën e Spanjës më 12 janar, duke mposhtur 5-2 Real Madridin; Kupën e Mbretit më 26 prill, sërish ndaj Real Madridit, këtë herë 3-2; dhe në fund La Liga-n, pasi mundi sërish “Los Blancos” në “El Clásico” e fundit në kampionat.
Gjermani është trajner i përkushtuar dhe për këtë shumë i vlerësuar nga drejtuesit e klubit, sidomos nga presidenti Joan Laporta. I balancuar, i respektuar dhe larg modelit të trajnerit diktator, kështu është shumë i pëlqyer edhe nga skuadra. Pra, 60-vjeçari ka hyrë shpejt në zemrën e Barcelonës, një skuadër të cilës i ka rikthyer lojën, rezultatet dhe mbi të gjitha besueshmërinë kombëtare e ndërkombëtare. Fryt i kësaj janë edhe nëntë përmbysjet e arritura gjatë sezonit, e fundit pikërisht ajo kundër Real Madridit në Montjuïc.
Pak rëndësi ka që Barcelona është eliminuar nga Liga e Kampionëve, për këtë në Katalonjë nuk ndalet “shiu” i kritikave dhe ankesave ndaj vendimeve të arbitrit Marciniak në “San Siro”, sepse Barcelona e Flick jo vetëm që është kthyer te fitoret, por e ka bërë këtë duke respektuar plotësisht ADN-në e saj: rritjen e talenteve të rinj, futbollin sulmues, lidhjen me popullin e vet. Dhe mbi të gjitha, duke shkatërruar në të tria rastet rivalin e përjetshëm, Real Madridin.







