“Përleshje e panevojshme për të dyja skuadrat. Nuk ka kuptim. Ishte e panevojshme, ndeshja kishte përfunduar. Nuk fajësoj askënd, as lojtarët e Mallorca, as ata të Real Madridit. Por një ‘përleshje’ e tillë ishte e panevojshme. Lojtarët ishin pak të nxehur dhe unë u përpoqa ta qetësoj situatën, disi, me Maffeo. Nuk ndodhi asgjë, por ai fund i lojës nuk ishte i nevojshëm”, – tha prerazi trajneri i Real Madridit për atë që ndodhi në minutat përmbyllëse të ndeshjes.
Mbi gjendjen e Mbappé: “Po shohim një version të mirë prej tij, por jo më të mirin. E di se deri ku mund të arrijë. Tchouameni është mirë, mjeku preferoi ta largonte. Për sa i përket Bellingham, i ka ndikuar nxehtësia, por do të pushojë dhe do të jetë mirë”.
Një tjetër “El Clásico” në finalen e Superkupës së Spanjës. Megjithatë, Ancelotti nuk e zbuloi mendimin e tij për atë që ka ndodhur me regjistrimet e Dani Olmo dhe Víctor: “E merituam fitoren dhe tani duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e së dielës kundër Barcelonës. Sulmojmë mirë dhe mbrohemi mirë.

Dani Olmo? Mendoj, por nuk dua të flas për të. Kohët e fundit, ‘El Clásico’ kanë qenë të paparashikueshme. Dy herë na kanë mundur 4-0, ndërsa ne fituam me shumë gola në Kupë… Nuk e di çfarë mund të ndodhë, thjesht shpresoj që të jemi më të mirë se Barcelona. Laporta? Është një temë si ajo e Olmos. Nuk dua të them atë që mendoj. Nuk është momenti”.
Italiani mendon se ende duhet t’i përmirësojnë disa aspekte të lojës: “Jemi afër nivelit më të mirë, por duhet të kemi vazhdimësi. E nisëm mirë ndeshjen dhe, kur duhej të shënonim, nuk e bëmë. Deri në minutën e 90-të nuk e vulosëm rezultatin, por kjo është përmbledhja e një ndeshjeje të vështirë, sepse e provuam në çdo mënyrë. Ata u mbrojtën shumë mirë dhe patën disa raste, sepse janë shumë të rrezikshëm në lojën ajrore, për shembull. Aty mund të ndodhte çdo gjë, por pas kemi qenë mjaftueshëm të ekuilibruar”.
Ancelotti analizoi ndikimin e Bellinghamit në ekipin e bardhë: “Ka filluar të kombinojë si duhet me Vinicius dhe Rodrygo. Bellingham është shumë i rëndësishëm për ne. Kur aktivizohen të katër lojtarët e sulmit, çdo gjë mund të ndodhë. Janë shumë të rrezikshëm, kjo është e qartë, e sheh kushdo, por nuk është vetëm çështje cilësie, kanë gjithashtu shumë përkushtim. Në këtë periudhë të fundit po bëjnë një punë të mirë”.







