Në këtë sezon ka bërë 4 paraqitje, njëra prej të cilave titullar (ndeshja e fundit ndaj Monza), me 115 minuta të luajtura. Kristjan Asllani është kthyer gradualisht në një “gur të çmuar” për Interin e Simone Inzaghit, i bindur nga shpirti i tij i sakrificës dhe inteligjenca taktike gjatë dy sezoneve të fundit.
Një trend në rritje – Pasi bëri 29 paraqitje në vitin e tij të parë (859 minuta të luajtura) dhe 31 paraqitje, një gol dhe 2 asiste në vitin e dytë (1.066 minuta të luajtura), xhevahiri i rritur tek Empoli synon t’i përmirësojë më tej numrat e tij individualë. Nuk është e lehtë ta bësh këtë me Calhanoglu, në mënyrë të pashmangshme përpara tij në hierarki, por 4 ndeshjet e luajtura nga 4 në sezonin që sapo ka nisur, sigurisht që japin shpresë. Në detaje, ndërkombëtari shqiptar ka grumbulluar deri më tani 4 minuta kundër Genoa, 8 minuta ndaj Lecce, 29 minuta ndaj Atalantës dhe 74 minuta kundër Monza, për gjithsej 115 minuta të luajtura. Në të katër rastet ai luajti si mesfushor, ashtu siç ndodhi në sezonet 2022-2023 dhe 2023-2024.
Katër tituj në “palmares” – Duke parë “palmaresin” e tij, futbollisti i lindur në Elbasan, në këto dy vite si zikaltër ka fituar dy Superkupa të Italisë (2022, 2023), një Kupë të Italisë (2022-2023) dhe një kampionat italian (2023-2024). Trofe ndoshta jo të përjetuar si protagonist absolut, por gjithsesi duke dhënë një kontribut themelor në rotacionet dhe pjesët e dyta.
Mos e quani vetëm zëvendës të Calhanoglu
Zëvendës i Calhanoglu dhe shumë më tepër. Kristjan Asllani, i cili mbërriti nga Empoli tek Interi në verën e vitit 2022 në huazim, me detyrimin për ta blerë në total 14 milionë euro, e ka gdhendur në mënyrë progresive rolin e “gurit të çmuar” në këto dy vite tek Interi. Pikërisht me këtë epitet përshkruhet ndërkombëtari shqiptar në komunikatën zyrtare për shtyp, me të cilën klubi milanez njoftoi së fundi rinovimin e kontratës deri në vitin 2028.
Maturimi pas Calhanoglu – Një investim i rëndësishëm dhe injektim besimi për një talent të ri, ende vetëm 22 vjeç, i cili me marrëveshje të përbashkët me klubin, vit pas viti ka zgjedhur të qëndrojë në radhët e kampionëve italianë në fuqi, në vend që të largohet për të marrë eksperiencë nëpër Itali. Po, sepse të rritesh pas një “përbindëshi” të rolit të tij si Hakan Calhanoglu vlen shumë më tepër sesa të jesh protagonist diku tjetër. Ose të paktën kështu ka menduar futbollisti elbasanas, i rritur si mesfushor-sulmues dhe i pjekur si “regjisor”.
Titullar ndaj Monza – Rezultati? Asllani ishte pothuajse gjithmonë gati dhe reagues, duke bërë 29 paraqitje në vitin e tij të parë me Interin. Këto shifra ishin 31 paraqitje, një gol dhe 2 asiste në sezonin e dytë zikaltër dhe tashmë, pas 4 ndeshjesh, luajti si titullar ndaj Monzas, në këtë sezon që sapo ka filluar. Ai luajti si “regjisor” në vend të yllit turk, por edhe më thjesht si Kristjan Asllani. Një të drejtë që i linduri më 2002 po e fiton në fushë me paraqitje të mira, duke pritur të bëhet vetë protagonist. Gjithmonë duke falënderuar Calhanoglu, në hijen e të cilit po rritet dita-ditës, duke përfituar shumë nga eksperienca e tij në stërvitje.
Un’emozione così 🎤🤩#ForzaInter #Asllani2028 pic.twitter.com/3O67R58z2f
— Inter ⭐⭐ (@Inter) September 16, 2024
Fryma e sakrificës dhe inteligjencës, një xhevahir i çmuar
Interi, pasditen e djeshme konfirmoi rinovimin e kontratës së Kristjan Asllanit deri në vitin 2028. Më poshtë është njoftimi zyrtar i klubit zikaltër për “blindimin” e mesfushorit të lindur në vitin 2002, në Elbasan, një nga liderët e rinj të kombëtares sonë kuqezi:
“Fryma e sakrificës dhe inteligjencës taktike. Kristjan Asllani i ka kombinuar këto karakteristika në dy sezonet e fundit dhe do të vazhdojë t’i bëjë sërish me ngjyrat zikaltër. Mesfushori shqiptar dhe Interi janë lidhur deri në vitin 2028. Që nga debutimi i tij, numri 21 i zikaltërve është kthyer në një lojtar të çmuar për skuadrën e Simone Inzaghit. Ai mbërriti tek Interi në verën e vitit 2022 dhe ka bërë gjithsej 63 paraqitje, duke shënuar një gol.
Historia e Kristjan me zikaltrit është e shënjuar nga fati, duke filluar nga dita e lindjes, që është e njëjtë me atë të Interit: 9 marsi. Karriera e mesfushorit të lindur në vitin 2002 është shënjuar edhe nga ndryshime, që përkthehen në mundësi të mëdha.
Ashtu si ai që e solli nga Shqipëria në Buti, provincën e Piza ku u rrit dhe ku nisi të hidhte hapat e parë në botën e futbollit. Teknika dhe cilësia e tij e padiskutueshme e çuan atë të luante në sektorin e të rinjve të Empolit në moshën 10-vjeçare.
Fati i tij kishte nuanca blu e zi. Në sezonin 2020-2021 fitoi kampionatin e të rinjve me skuadrën e Empolit. Këtë e bëri duke eliminuar Interin në gjysmëfinale, falë golit të tij. Në sezonin 2021-2022 kaloi në skuadrën e pare të Empolit. Edhe një herë e lidhi emrin e tij me atë të zikaltërve. Asllani asistoi Bajramin në ndeshjen e Kupës së Italisë dhe shënoi golin e parë në Serie A kundër Interit.
Rrugët e Asllanit dhe Interit do të bashkoheshin përfundimisht në verën e vitit 2022. Në sezonin e tij të parë me fanellën zikaltër mësoi shumë, duke u përpjekur të jetë gjithmonë gati për të dhënë kontributin e tij. Në fund të sezonit do të grumbullonte 29 paraqitje në të gjitha garat dhe do të ngrinte në qiell dy trofetë e tij të parë: Superkupën e Italisë dhe Kupën e Italisë.
Sezoni i ardhshëm ishte viti në të cilin zikaltrit “qepën” yllin e dytë në fanellën e tyre, në fund të një sezoni të jashtëzakonshëm, i cili e pa mesfushorin shqiptar të marrë pjesë në një moment historic. Shqiptari u vendos plotësisht në dispozicion të skuadrës së Simone Inzaghit, duke treguar të gjitha cilësitë e tij.
Më tej provoi edhe gëzimin e pamasë të golit të tij të parë me fanellën zikaltër, i cili erdhi në ndeshjen e fituar e ‘San Siro’ ndaj Genoa, 2-1. Një goditje e fuqishme me këmbën e djathtë nga afërsia që nuk i la asnjë shans portierit ligurian.
Karriera e Kristjan me fanellën zikaltër flet vetë. Një profesionist shembullor dhe talent vazhdimisht në rritje, i cili do të jetë ende i disponueshëm për sezonet e tjera”.