Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli për mikrofonët e “Sky” pas fitores 1-0 kundër Leipzig, në Champions League: “E dinim rëndësinë e ndeshjes së sotme. Luanim kundër një skuadre me vlera, e cila deri të dielën kishte mbrojtjen më të mirë të Bundesligës. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, ishim gjithmonë të balancuar, edhe pse kundër Leipzig nuk është e lehtë. Më vjen keq që nuk e shënuam golin e dytë, por skuadra vuajti relativisht pak”.
Mendimi juaj i parë kur shihni renditjen?
Patjetër jemi të kënaqur, por për të arritur në tetë më të mirët duhet edhe një hap tjetër. Kemi bërë një rrugëtim të shkëlqyer: 4 fitore radhazi dhe 5 ndeshje pa pësuar gol. Kisha frikë për ndeshjen e sotme, por skuadra është e pjekur dhe e dinte që nuk duhej të ndikohej nga 0 pikët e Leipzig.
A jeni të pjekur për t’u rikthyer në finale?
Ky është objektivi i të gjitha skuadrave, aq më tepër për mua që drejtoj Interin. Ka shumë konkurrencë dhe nuk është e lehtë të luash çdo dy ditë e gjysmë. Kam fatin të kem djem që janë mësuar me këtë, ka një gatishmëri të madhe nga të gjithë.
A mund të bënit më mirë në 30 metrat e fundit?
Jam dakord. Ishte rasti i Dumfries në fillim të pjesës së dytë, që ndoshta do të kishte ndryshuar ndeshjen, edhe goli i Mkhitaryan më dukej i rregullt. Kundërshtari ishte me vlera, Openda është i fortë, për të mos përmendur Sesko dhe Nusa. Sonte pamë një Inter që ishte në lojë, ashtu siç më pëlqen mua. E dinim si ta zgjidhnim një ndeshje aspak të thjeshtë.
Pse pati rënie në fund?
Duke mos shënuar golin e dytë, në 20 minutat e fundit u tërhoqëm pak. Megjithatë, skuadra ishte e aftë. Duke luajtur çdo 3 ditë, duhet t’i japim mundësi të luajnë sa më shumë lojtarë. Kemi mjete për të kuptuar kush është në formën më të mirë. Sonte patëm një problem të vogël me Pavard, shpresojmë të rikthehet shpejt.
Çfarë janë këto mjete?
Mjete që tregojnë si janë rikuperuar lojtarët. Ata që kanë luajtur monitorohen, përtej syrit të trajnerit. Ndonjëherë i përdorim dhe kam një staf që më ndihmon shumë.