50-vjetori i ndeshjes historike, Ilir Meta dekoron ikonat e basketbollit shqiptar

28 Dhjetor 2018
19:02
Telesport
back button

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një ceremoni të zhvilluar sot pasdite në Presidencë, ka pritur e dekoruar disa nga ikonat e basketbollit shqiptar, njerëzit që ndër vite kanë bërë emër në këtë sport, duke fituar tituj e rivalizuar me gjigandët europianë në arenën ndërkombëtare.

Pikërisht një event i rëndësishëm ndërkombëtar ka mbledhur yjet e basketbollit shqiptar të vitit 1968, vit ku Partizani barazonte 73-73 ndaj kampionëve të Italisë, Oransoda, rezultat që për kreun e shtetit shqiptar është një ngjarje e jashtëzakonshme e sportit tonë.

Ndaj, presidenti Ilir Meta, ka vendosur të dekorojë trajnerin e atij ekipi, Astrit Greva, kapitenin legjendar Agim Fagu si dhe disa nga sportistët e atij ekipi, si Dodan Përmeti, Guxim Bekteshi, Edmond Moja dhe Spartak Boshnjaku, që shkruan historinë e basketbollit shqiptar.

Ja mesazhi i plotë i presidentit të Republikës, z.Ilir Meta, në faqen e tij zyrtare “Facebook”

Në përmbyllje të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, vlerësimi me Titullin e lartë që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, në rradhë të parë i takon atyre që kanë bërë më shumë për promovimin e Shqipërisë në Europë, ekipit të "Partizanit" në basketboll meshkuj të vitit 1968.

Me rastin e 50-vjetorit të asaj ndeshje historike kundër Oransodes, ekipit kampion të Italisë dhe Europës, pata nderin t’i dorëzoja kapitenit legjendar, z.Agim Fagu, Dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Po kështu ishte kënaqësi të vlerësoja me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, trajnerin e jashtëzakonshëm, z.Astrit Greva, i cili u përball me një nga trajnerët më të mëdhenj të botës, jugosllavin Stankoviç.

Kënaqësi të vlerësoja edhe z.Dodan Përmeti, z.Guxim Bekteshi, z.Edmond Moja dhe z.Spartak Boshnjaku.

 Mirënjohje edhe të gjithë lojtarëve të atij “Partizani” legjendar që ndaloi atë mbrëmje magjike yjet e Italisë, Amerikës e Argjentinës, duke i bërë shqiptarët krenarë dhe besimplotë për të qenë të barabartë me më të mirët e Europës

Lajme të tjera

Lajmet e fundit