6 fitore radhazi, Partizani vjen “top” në finalen e titullit: Do të triumfojë ai që gabon më pak

25 Maj 2024
12:41
Alfred Lleshi
back button

Të kuqtë, në mbrojtje të “kurorës” së titullit. Partizani synon të fitojë titullin e dytë radhazi në Superiore, por për këtë duhet kaluar një pengesë e fortë si Egnatia. Kundërshtari i finales së nesërme në “Arena Kombëtare” ka kryesuar kampionatin nga java e 3-të deri tek e fundit, e 36-ta.

Pra, skuadra rrogozhinase shihet si tepër solide, edhe për shkak se ka fituar Kupën e Shqipërisë këtë sezon, kompeticionin e dytë kombëtar për nga rëndësia. Të gjitha këto i di mirë Orges Shehi, i cili në konferencën për shtyp, në prag të përballjes me Egnatian, apeloi për fokusim maksimal:

Nesër luhet akti i fundit për titullin…
Është ndeshje e fundit dhe më e rëndësishmja, pasi përcakton skuadrën kampione. Është një finale që vë përballë dy ekipet më të forta dhe triumfuese, do të triumfojë ai që gabon më pak. Protagonistët në fushë janë lojtarët, ndërsa trajnerët i udhëheqin ato. Aktorët më të rëndësishëm janë futbollistët, varet nga mënyra se si do ta intepretojnë ata lojën. Janë të pakta finalet që skuadrat dominojnë të gjithë takimin. Episodet mendoj se do të bëjnë diferencën.

Çfarë ka Partizani më shumë se Egnatia?
Nëse do të shikojë diçka të tillë, i bie të mos merrem me lojtarët e mi. Rrogozhinasit kanë skuadër serioze, edhe ne do të japim më të mirën për të fituar. Kemi një president që nuk lodhet kurrë, kemi tifozët më të mirë dhe lojtarët më të shkëlqyeshëm. Dy ekipe me pikë të barabarta në fund të kampionatit, ndaj sfida e fundit mes tyre, kjo finale, do të jetë spektakolare. Duhet të fitojmë me tru dhe këmbë. Zemra është prezente, shpresoj të kemi mbështetje të madhe të tifozëve.

Sa e dëshiron Shehi titullin e dytë me dy ekipet e kryeqytetit?
Jam ende në garë për ta fituar titullin dhe sigurisht që ta arrish këtë është kënaqësi. Kur je kaq afër, sigurisht që dëshiron të jesh ti ai që feston. Duhet përqendrim maksimal, koha ikën, ai që mbetet është trofeu.

6 fitore radhazi, a është pika kulmore e Partizanit?
Kemi bërë mirë në ndeshjet e fundit. Përveç fitoreve kemi shprehur një lojë të mirë dhe kemi treguar agresivitet, grintë, kompaktësi, që janë të domosdoshme në futbollin modern. Është një moment i mirë, shpresoj që çdo gjë të shkojë siç duhet nesër. Na duhet edhe pak kujdes.

Koha shtesë dhe 11-metërshat, a jeni më të avantazhuar?
Unë kam luajtur portier dhe gjatë karrierës time si trajner asnjëherë nuk jam marrë me portierët. Komplet është kompetencë e trajnerit të portierëve të merret me këtë punë. Sigurisht që ndeshja mund të shkojë në shtesë dhe ne duhet të përgatitemi për gjithçka.

Titulli i Egnatias apo Partizanit? Nësër, finalja më e ekulibruar se kurrë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit