6 muaj në stolin e bavarezëve, Kompany bën bilancin: Kane? Nuk kthehet dot për ndeshjen ndaj Mainz

14 Dhjetor 2024
7:45
Alfred Lleshi
back button

Në prag të ndeshjes së Bundesligës kundër Mainz, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka folur në një konferencë për shtyp, duke prekur tema të ndryshme, nga kundërshtarët, situata me dëmtimet, deri te bilanci i tij për gjashtë muajt e parë në stolin e bavarezëve.

Për ndeshjen kundër Mainz: “Ky rival ka bërë shumë mirë pas ndeshjes së kupës kundër nesh, duke pësuar shumë pak gola. Mainz dëshmon siguri në fushë, por edhe ne jemi të tillë. Kemi shumë respekt për kundërshtarin dhe e dimë që nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të bëjmë një paraqitje të fortë, por gjithmonë kemi besim në ekipin tonë”.

Situata me dëmtimet: “Jam mësuar të përballem me situata të tilla. Është e rëndësishme të analizojmë historinë e dëmtimeve të çdo lojtari për t’i minimizuar ato. Deri tani kemi bërë një punë të mirë, edhe pse ka pasur momente të vështira. Departamenti ynë mjekësor punon në nivelin më të lartë. Harry Kane nuk do të jetë i disponueshëm për këtë ndeshje, ashtu si disa lojtarë të tjerë. Megjithatë, ata që luajtën të martën janë gati. Gjithashtu, për Alphonso Davies situata po përmirësohet”.

Pushimi dimëror: “Jam shumë i kënaqur me pushimin dimëror. Është e rëndësishme për t’u rikuperuar si fizikisht, ashtu edhe mendërisht. Nuk do të kemi këtë pushim gjatë verës, prandaj duhet ta shfrytëzojmë. Në Bundesliga është një traditë e vlefshme, edhe pse ekipet angleze luajnë shumë ndeshje gjatë kësaj periudhe”.

Bilanci i gjashtë muajve të parë si trajner bavarez: “Më duket se kam bërë mirë. Kam shumë respekt për traditën dhe madhështinë e Bayern Munich. Deri tani jam përqendruar te 25 lojtarët e ekipit. Punojmë fort dhe jemi njerëz normalë. Për një bilanc më të plotë duhet të më pyesni në janar”.

Mbi Jamal Musiala dhe Florian Wirtz: “Jamal ka treguar se çfarë mund të bëjë, do të përmirësohet akoma më shumë. Ideja për ta parë atë bashkë me Florian Wirtz do të ishte interesante. Po kështu është një gjë e mirë për Gjermaninë të ketë dy talente si ata”.

Për Leroy Sané dhe merkaton: “Detyra ime është të vlerësoj lojtarët bazuar në performancën e tyre. Leroy është një talent i madh, së pari do të flasim me të për çdo vendim. Nuk do të ndikohemi nga thashethemet e jashtme”.

E ardhmja e Thomas Müller: “Diskutojmë me lojtarët për çdo gjë që lidhet me të ardhmen. Tërheqja e tij duhet të ndodhë në kohën e duhur. Kemi edhe lojtarë të rinj që mund ta zëvendësojnë në të ardhmen, por për momentin jemi të fokusuar tek e tashmja”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit