Interi po avancon me vendosmëri për transferimin e Marco Palestra. Mbrojtësi 21-vjeçar është objektivi kryesor i merkatos së zikaltërve, por për të arritur marrëveshje me Atalantën duhet ende kohë.
Interi ka marrë tashmë miratimin e plotë të lojtarit, element shumë i rëndësishëm në operacionin që mund të shndërrohet në një nga sagat e verës, ashtu si rasti i Ademola Lookman një vit më parë. Megjithatë, këtë herë ekziston një ndryshim i madh: Atalanta është e gatshme ta shesë Palestrën, ndryshe nga qëndrimi i saj i palëkundur për Lookman, verën e kaluar.
Tani pengesa kryesore mbetet vlerësimi ekonomik. Interi ka paraqitur një ofertë fillestare prej 40 milionë euro, plus bonuse, por klubi bergamask e vlerëson lojtarin rreth 60 milionë euro. Për këtë arsye negociatat do të vazhdojnë në kërkim të një pike takimi.
Në orët e fundit është përfolur edhe mundësia e përfshirjes së talentit të ri të Interit, Matteo Cocchi, si pjesë e marrëveshjes. Situata mund të ndryshojë nëse në garë hyn Manchester City. Kampionët anglezë e ndjekin prej javësh lojtarin dhe largimi i mundshëm i Savinho drejt Tottenham mund ta shtyjë trajnerin Enzo Maresca, një admirues i madh i Palestrës, të kërkojë afrimin e tij në krahun e djathtë.
Ndërkohë, edhe Juventusi ka pasur kontakte paraprake për të mësuar më shumë rreth kostos dhe disponueshmërisë së lojtarit. Një arsye më shumë që Interi të përshpejtojë negociatat dhe të mposhtë konkurrencën.







