Në një intervistë për mediet spanjolle ditën e sotme, Pep Guardiola u pyet ndër të tjera për arsyen pse Barcelona nuk po arrin dot suksesin në Champions League.
Hera e fundit që Barcelona ka fituar këtë kompeticion ka qenë në vitin 2015, në atë kohë drejtohej nga Luis Enrique dhe fitoi tripletën.
“Çfarë i mungon Barçës për të fituar Champions League? Ky është një kompeticion që të shkatërron projektet, dhe shpresoj që të mos jetë kështu për Barcelonën.
Nuk duhet të mendojmë se vetëm pse nuk e fiton, gjithçka që është ndërtuar nuk është e mirë. Kampionati është gara që të jep qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Në Champions League, duhet të arrish fazat vendimtare në gjendje të mirë, pa lëndime, dhe arbitrimi gjithashtu ka një ndikim të madh.
Ajo që ka rëndësi është që puna e përditshme të jetë e shkëlqyer, që skuadra të vazhdojë të rritet dhe të përmirësohet, dhe që ata të mos besojnë se sezoni është një dështim vetëm sepse nuk arrijnë në finalen e Champions League ose nuk e fitojnë atë. Kampionati është ai që vendos themelin për të gjykuar nëse një sezon ka qenë i mirë apo jo”, tha Guardiola.







