Liverpool, pas 8 sezonesh po përgatitet të përballojë vitin e parë pa Jurgen Klopp si trajner. Në vend të tij ka ardhur nga Feyenoord trajneri Arne Slot, i cili dëshiron të sjellë risi por edhe të niset nga siguritë e viteve të fundit. Një prej tyre është Trent Alexander-Arnold, i cili u rrit në akademinë e “reds” dhe u vendos në ekipin e parë si një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë.
Nuk është rastësi që Real Madrid i ka vënë sytë tek ai prej disa kohësh. Kjo miqësi u favorizua nga prania në “los blancos” e Jude Bellingham, mikut dhe bashkatdhetarit të Alexander-Arnold. Përballë një oferte nga klubi më i suksesshëm në botë është vërtet e vështirë të thuash JO, por duket se Liverpool ka studiuar një strategji për të mbajtur talentin vendas nga kthetrat e klubit të Florentino Perez.
“The Sun” sqaron situatën: “Trent ka folur tashmë me trajnerin e ri. E gjithë kjo ka ndodhur para Kampionatit Europian dhe tani ata janë në kontakt. Fillimisht ata patën një bisedë të mirë, por trajneri e sheh këtë si një fillim të ri dhe lojtari është i ngazëllyer për t’u rikthyer në stërvitje për të hedhur themelet për një sezon të ri të suksesshëm”.
Mbrojtësit do t’i ofrohet një marrëveshje e rëndësishme për të qëndruar përtej kontratës aktuale, një super-rinovim, duke e bërë ndër tri lojtarët më të paguar të klubit. Ai ka ende shumë për të dhënë, prandaj, një rinovim me çmime më të larta është i mundur për mbrojtësin e krahut, i emëruar zëvendës-kapiten i Liverpool verën e kaluar.