Real Madrid-Bayern Munich, sy e veshë nga “Wembley”. Ja pse Tuchel konsiderohet “macja e zezë”

8 Maj 2024
10:55
Alfred Lleshi
back button

Është Bayern Munich i Thomas Tuchel, pengesa e Real Madridit drejt një tjetër finaleje të Champions League. Kjo gjë në Spanjë nuk merret aspak me lehtësi. Gazetat iberike, sidomos “Marca”, nënvizojnë një fakt që është i pabesueshëm dhe, kuptohet, ushqen frikën e dështimit të “Los Blancos” pikërisht kur duken një hap larg “Wembley”.

Tuchel është i vetmi, ndër trajnerët e mëdhenj aktivë, të cilët nuk kanë humbur kurrë në fushën e Real Madridit dhe, deri më tani, është dorëzuar përballë të bardhëve vetëm një herë, në vitin 2022, në “Stamford Bridge”, kur ishte në krye të Chelsea (1-3 në çerekfinale).

Një lloj “kriptoniti” me të cilin Carlo Ancelotti do të duhet të përballet për të prerë biletën e tij për në “Wembley” dhe të shtojë një tjetër finale në listën e gjerë të sukseseve. Në “Bernabeu” e ri e të bukur do të fillojë gjithçka nga barazimi 2-2 i një jave më parë në Bavari. Një rezultat i cili në letër i jep avantazh Real Madridit, por flet edhe për ekuilibër mes dy skuadrave.

Megjithatë, Bayern Munich është dhe mbetet një “bishë” për t’u përballur, një ekip ekspert dhe mjaftueshëm i talentuar, i bezdisshëm, qoftë edhe vetëm për kreativitetin dhe shpejtësinë e Sané, Musiala e Gnabry, si dhe golat e shumtë të Kane.

Në anën tjetër të llogores, Real Madridi, skuadra me më shumë tituj të Ligës së Kampionëve dhe një qëndrim evropian, që asnjë klub tjetër nuk e ka. Plus, dhe nuk është diçka e vogël, ka Carletto Ancelottin në pankinë, “mbretin” e trofeve, trajnerin më të mirë të mundshëm kur bëhet fjalë për Champions League.

Krahasuar me ndeshjen e parë në Mynih do të duhet një Real Madrid i ndryshëm, më dominues, megjithëse me të njëjtin kapacitet për të vuajtur si në Bavari. Edhe Bellingham më i mirë do të nevojitet për të fuqizuar Vinicius dhe Rodrygo.

Të sigurosh “Wembley” do të thotë të luash për trofeun si favorit, sepse Borussia Dortmundi ka shkuar në finale si “outsider”. Madrilenët do të bëjnë gjithçka për të evituar një finale tërësisht gjermane më 1 qershor.

Duhej të ishte, për të gjithë, Real Madrid-PSG, Vinicius kundër Mbappe, por Borussia Dortmund tashmë ka “fluturuar” drejt Anglisë. Pra, kini kujdes, asgjë nuk merret si e mirëqenë në këtë kompeticion.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit