Ronaldo krenohet: “Prej 23 vitesh iu përgjigjem kështu kritikave”. Trajneri i Portugalisë e kurorëzon si… GOAT

24 Qershor 2026
8:04
Alfred Lleshi
back button

“Prej 23 vitesh veproj kështu dhe iu përgjigjem kritikave. Më e rëndësishmja ishte të punonim për skuadrën dhe të kishim besim. Po punojmë mirë dhe po përmirësohemi. Sa më përket mua, janë objektiva prestigjiozë për t’u arritur, por preferoj sukseset e ekipit. Kaluam një javë jo të lehtë, por jemi shokë skuadre që punojmë shumë mirë së bashku”.

Kështu u shpreh Cristiano Ronaldo pas fitores ndaj Uzbekistanit, duke komentuar dygolëshin e tij dhe suksesin e Portugalisë. Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, vlerësoi paraqitjen e ekipit:

“Sot dhamë një përgjigje të rëndësishme, jemi këtu për t’u rritur gjatë turneut. Edhe yjet tanë u zhbllokuan dhe jam shumë i lumtur për rezultatin. Lëvizjet e Cristianos brenda zonës janë më të mirat në botë, ishte vetëm çështje kohe që ai të shënonte”.

© Getty Images

Cristiano Ronaldo hyri në historinë e Kupës së Botës. Me golin e shënuar në minutën e 6-të të ndeshjes ndaj Uzbekistanit, sulmuesi portugez 41-vjeçar u bë lojtari i parë që shënon në 6 edicione të ndryshme të Botërorit.

CR7 realizoi edhe golin e dytë në minutën e 39-të, duke arritur në 10 gola në Kupat e Botës dhe thyer rekordin e bashkëkombësit Eusebio, i cili kishte ndalur në 9. Golat e Ronaldos janë shpërndarë kështu: një në “Gjermania 2006” (kundër Iranit), një në “Afrika e Jugut 2010” (Koresë së Veriut), një në “Brazil 2014” (Ganës), 4 në “Rusia 2018” (tre ndaj Spanjës dhe një kundër Marokut), një në “Katar 2022” (kundër Ganës) dhe dy në Botërorin aktual në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Portugezi është gjithashtu lojtari i dytë më i moshuar që shënon në një Botëror. Rekordi i përket kamerunasit Roger Milla, i cili ishte 42 vjeç e 39 ditë kur shënoi ndaj Rusisë në Botërorin e SHBA 1994, duke thyer rekordin që kishte vendosur vetë katër vite më parë.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit