Futbolli ka aftësinë të krijojë histori që duken si skenarë filmash. Njëra prej tyre vjen nga Uzbekistani dhe ka në qendër dy futbollistë që, 17 vite më vonë, e kthyen një ëndërr fëmijërie në realitet.
Ishte viti 2009, kur Cristiano Ronaldo vizitoi Uzbekistanin. Mes qindra fëmijëve që prisnin ta takonin idhullin e tyre ishin edhe Rustam Ashurmatov dhe Dostonbek Khamdamov. Të dy arritën të bënin një fotografi me yllin portugez, pa e ditur se një ditë do të përfundonin në të njëjtën fushë me të.
Kaluan vitet, dy djemtë u rritën dhe punuan fort për të realizuar ëndrrën e tyre. Ashurmatov u shndërrua në një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të kombëtares së Uzbekistanit, ndërsa Khamdamov u bë një nga emrat më të njohur të futbollit uzbek.

Në Botërorin 2026, historia mori kthesë të pabesueshme. Uzbekistani siguroi për herë të parë në histori kualifikimin në Kupën e Botës dhe, në fazën e grupeve, u përball pikërisht me Portugalinë e Cristiano Ronaldos.
Dy fëmijët që dikur kërkonin një autograf dhe një fotografi me idhullin e tyre, këtë herë hynë në fushë si kundërshtarë të tij në skenën më të madhe të futbollit botëror. Pamjet e fotografisë së vitit 2009, të krahasuara me momentet e përballjes në Botërorin 2026, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe janë kthyer në një nga historitë më frymëzuese të futbollit uzbek.
Sepse ndonjëherë futbolli nuk është vetëm trofe, gola apo fitore. Është edhe rrugëtimi i një ëndrre, që nis me një fotografi të pafajshme dhe përfundon në fushën më të madhe të botës, përballë idhullit që të frymëzoi të ndiqje këtë sport.








