Një tërmet i tmerrshëm ka shkatërruar Venezuelën, duke lënë mbi 50 mijë të pagjetur. Mes tyre, futbollisti i klubit Maritimo de La Guaira (divizioni i dytë), Lucas Trejo, kërkon dëshpërimisht gruan dhe fëmijët. Fatkeqësisht, shoku i tij i skuadrës dhe i repartit të mbrojtjes, Hector “Kike” Bello, ka humbur çdo shpresë.
Gruaja e Hector, Andrea, e cila fillimisht rezultonte e zhdukur, u gjet e pajetë nën rrënojat e banesës së tyre pas përpjekjeve të pandalshme të shpëtimtarëve. Megjithatë, në një akt heroik sakrifice amësie, ajo shërbeu si mburojë me trupin e saj për vajzën e tyre njëvjeçare, Alana, e cila u nxor mrekullisht e gjallë.

Hector Bello, i cili e nisi karrierën me Monagas dhe luajti për ekipe si Urena, Lala, Rayo Zuliano dhe Bolivar, ndau një mesazh prekës në Instagram. Ai e quajti Andrean heroinën e tyre, duke premtuar se do t’i tregojë vajzës se si nëna dha jetën për ta shpëtuar, ndërsa shprehu dhimbjen e pashërueshme që ajo e la vetëm, me shpirt të thyer.
I dhimbshëm është mesazhi i publikuar në Instagram nga Hector “Kike” Bello: “Do të jesh gjithmonë heroina jonë e preferuar, mami, do të përpiqem t’i kujtoj vajzës sonë se sa e mrekullueshme ke qenë dhe sa shumë e doje. Do t’i tregoj historinë se si e shpëtove, dashuria ime, se si dhe jetën tënde për vajzën tonë, që ke qenë një grua guximtare dhe që, duke dhënë frymën tënde të fundit, nuk e braktise kurrë, mami.

Por është një gjë që nuk mund ta fal, mami: më ke lënë me shpirt të bërë copash, më ke lënë fillikat vetëm. Luftën kishim thënë gjithmonë se do ta bënim të dy, mami. E mban mend kur më dërgove një foto dhe të thashë: ‘Ajo vajzë po që është shumë e bukur’. Dhe ti më the: ‘Edhe unë, apo jo?’ Dhe plase gazit. Unë të thashë: ‘Po, edhe ti je shumë e bukur, por jo më shumë se unë’.
Qeshnim në telefon dhe vajza na e ndërpiste gjithmonë thirrjen. Kur vendosnim filtrat dhe vajza trembej, thoshte: ‘Babi, nuk më pëlqen’. Ah, Andrea ime, mami, më shkatërrove shpirtin… Do të të kujtoj përgjithmonë, mami, përgjithmonë. E mban mend që të thoja gjithmonë se do të ishe gruaja ime për tërë jetën? Ti qeshje e rënë në dashuri dhe të skuqeshin faqet, mami. Ah, Andrea, mami, nuk mundem dot, dashuri, me të vërtetë nuk mundem dot…”







