Juventusi duhet të gjejë përsëri vendin që i takon. Për këtë është i bindur Sami Khedira, i cili në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport” ka komentuar momentin delikat që po kalon klubi bardhezi, pas një sezoni të mbyllur pa kualifikimin në Champions League e ardhshme.
Ish-mesfushori i Juventusit dhe Real Madridit nuk e fsheh lidhjen e tij me ambientin torinez: “Për mua Juventusi është klubi më i mirë në historinë e futbollit italian. Nuk jam në Torino dhe nuk e njoh në detaje situatën, por njoh Giorgio Chiellinin dhe e di që po vuan shumë, pikërisht si unë që jam një tifoz”.
Khedira i bën thirrje klubit të riniset me durim dhe stabilitet, duke kujtuar se çfarë ndodhi pas rënies në Serie B: “Juve duhet të kthehet në Champions. Duhet të luftojë siç bëri pas rënies në Serie B, kur fitoi 9 tituj kampioni dhe arriti në dy finale të Champions League”.
Së fundmi, ish-mesfushori bardhezi identifikoi te vazhdimësia çelësin për t’u ringritur: “Nuk flas vetëm për rezultate, por për trajnerin, klubin dhe drejtuesit. Kam besim të jashtëzakonshëm te Giorgio, është një person i madh dhe e dashuron Juventusin ashtu siç e dua edhe unë. Jam i sigurt se do të rikthehet i madh”.







