Pas humbjes zhgënjyese të Egjiptit ndaj Argjentinës, trajneri i kombëtares, Hossam Hassan, u filmua teksa po largohej nga fusha në fund të ndeshjes. Në video ai shihet duke pështyrë në tokë dhe drejtuar një “fuck you” një tifozi argjentinas, i cili kishte ngritur përballë tij një flamur izraelit, në atë që u interpretua si provokim pas deklaratave të trajnerit një ditë më parë në mbështetje të kauzës palestineze.
Pamjet u bënë shpejt “virale” në rrjetet sociale, veçanërisht në Egjipt dhe në vende të tjera të botës arabe, ku u ripostuan gjerësisht me komente në mbështetje të Hassan. “Pështyma jote është më e pastër”, shkruante një prej komentuesve, ndërsa të tjerë kujtonin se Argjentina kishte strehuar për një kohë të gjatë shumë drejtues nazistë pas Luftës së Dytë Botërore.







