Ish-portieri i Interit, Francesco Toldo, u bë protagonist i një ndërhyrjeje spektakolare në qendër të Milanos, duke ndaluar një hajdut biçikletash dhe kthyer mjetin pronarit.
Pak para orës 20:00, Toldo, aktualisht përgjegjës i projektit “Inter Legends”, po parkonte skuterin në rrugën “Via Agnello”, kur pa një të ri që po ndiqte një tjetër me biçikletë. Pasi e ndaloi dhe e pyeti se çfarë kishte ndodhur, mori përgjigjen: “Ma vodhi biçikletën”.
I veshur me uniformën e vullnetarit të Mbrojtjes Civile, ish-portieri u vu menjëherë në ndjekje të hajdutit. E arriti pranë “Corso Vittorio Emanuele II”, e rrëzoi nga biçikleta, ia mori atë dhe ia ktheu pronarit mes duartrokitjeve të kalimtarëve.
“Ishte e pabesueshme. E kuptova menjëherë çfarë kishte ndodhur. Sapo djali ma konfirmoi, nuk mendova asnjë sekondë. U nisa me shpejtësi, iu afrova dhe me një shtytje e rrëzova nga biçikleta. Më pas njerëzit më njohën dhe donin të më përqafonin. Djali më falënderoi, ashtu si edhe të gjithë ata që panë skenën”, – tha Toldo.







