Balotelli: Në Serie A nuk shoh askënd më të fortë se unë. E trishtueshme, goli im është ende i fundit i Italisë në Botëror

11 Korrik 2026
8:46
Alfred Lleshi
back button

Mario Balotelli po përgatitet për sezonin e tij të parë të plotë me Al Ittifaq, skuadër ku u transferua në janar dhe realizoi 6 gola në 14 ndeshje. Në një intervistë ekskluzive për “SportMediaset”, sulmuesi italian foli për të tashmen, të kaluarën dhe futbollin Italian:

“Këtu ndihem mirë, projekti është i mirë dhe skuadra ka perspektivë për t’u rritur. Edhe jeta në Dubai është shumë e mirë. Nuk e di deri kur do të luaj, por do të vazhdoj për aq kohë sa të kem pasion për t’u stërvitur, për të djersitur, për të zbritur në fushë dhe për të shënuar. Edhe pse gjithçka që e rrethon futbollin po fillon të më lodhë”.

Balotelli zbuloi gjithashtu se këtë sezon do të luajë për herë të parë në një ekip zyrtar me vëllain e tij, Enock: “Fizikisht është një bishë, do të bëjë mirë. Edhe do ta ngacmoj pa fund”.

I pyetur nëse i mungon Serie A, Balotelli u përgjigj: “Më mungon futbolli italian i 15 viteve më parë, mënyra si luhej dhe lojtarët që kishte. Do të doja ta shihja Serie A sërish në majë”.

Sa i përket një rikthimi në Itali, ai u shpreh: “Te Genoa mendova se do të ishte përpjekja ime e fundit, por klubi gaboi në gjithçka. Është për të ardhur keq sepse qyteti, skuadra dhe tifozët ishin fantastikë”.

Më pas erdhi deklarata që pritet të bëjë bujë: “Për cilësi të pastër, edhe sot nuk shoh asnjë futbollist më të fortë se unë në Serie A. Futbolli modern favorizon më shumë lojtarët me vrapim dhe forcë fizike, por nuk shoh askënd me stilin tim të lojës. Ka shumë lojtarë të mirë, por jo si unë”.

Balotelli kujtoi se goli i tij ndaj Anglisë në Botërorin 2014 mbetet ende goli i fundit i Italisë në një Kupë Bote: “Nuk është diçka për të cilën duhet të jem krenar. Përkundrazi, është shumë e trishtueshme. Kanë kaluar shumë vite”.

Për kritikat që ka marrë gjatë karrierës: “Kam bërë ndonjë budallallëk kur isha i ri, por pati edhe njëfarë përndjekjeje ndaj meje. Nuk pendohem, sepse më kanë bërë të rritem. Kur shoh çfarë bëjnë disa njerëz sot, ndërgjegjja ime është e pastër. Unë nuk i kam bërë kurrë keq askujt”.

Balotelli lavdëroi Cristian Chivu: “Edhe si futbollist ishte si trajner në fushë. Taktikisht shumë inteligjent. Interi mbetet skuadra për t’u mundur”.

Për Zlatan Ibrahimović, tani drejtues te Milani, u shpreh me humor: “A duhet të përgjigjem (qesh)? Zlatan është drejtues i Zlatanit…, por e di që jep 100% në çdo gjë që bën”.

Ai i uroi gjithashtu suksese Massimiliano Allegrit në aventurën e tij te Napoli dhe e konsideron Interin dhe Napolin favoritë për titullin, duke shtuar edhe Romën si surprizë.

Në fund, Balotelli renditi tri yjet më të mëdhenj të futbollit aktual: “Mes Messit, Haalandit dhe Mbappés, zgjedh Messin të parin. Ai është më i forti në botë. Pastaj, sipas mënyrës se si më pëlqen mua futbolli, vijnë Mbappé dhe Haaland”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit